Na ndiqni edhe në

Editorial

Shterpësia ideore e foltores!

Shterpësia ideore e foltores!

Gazetari Dritan Hila ka komentuar në rubrikën “Komenti i ditës” në DritareTV për kandidatët e Foltores, që sipas tij sillen më tepër si denoncues, si kontroll i lartë i shtetit, por nuk kanë asnjë ide për atë që po kandidojnë. Hila u drejtohet kandidatëve duke u thënë se, në pushtet nuk vihet me denoncime dhe akuza, pasi me atë merret Prokuroria dhe organet kompetente, por me ide të qartë se çfarë do të bësh pasi të vish në pushtet.


“Jemi në vazhdën e 32 viteve demokraci ku shumë premtohet, por nuk qulloset gjë. Dhe kur votuesi nuk del në kutitë e votimit ia lënë fajin vjedhjeve, por asnjëherë shqiptarët nuk e gjejnë fajin te vetja. Më ka bërë përshtypje që kandidatët e foltores janë më tepër si denoncues, si kontrolli i lartë i shtetit, por nuk kanë asnjë ide për atë që ata po kandidojnë. Po dëgjoja një ditë Këlliçin, ‘kaq ka vjedhur Veliaj këtu e aty’, ndërkohë i duhet kujtuar se këto dokumente duhet t’i tregojë një herë dhe më pas duhet t’i dërgojë në Prokurori, ose në Ambasadën e SHBA-së nëse nuk kanë besim te prokuroria shqiptare. Por shqiptarët nuk e votojnë këtë që të bëhet kontrolli i lartë i shtetit, por për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Dhe duan të dinë nga ky se çfarë idesh ka, çfarë projektesh ka çfarë do ndryshojë në jetën e qytetit. Vë re që nuk ka asgjë të tillë, Tirana ka probleme me qarkullimin, ku kanë qenë me parë shtëpitë njëkatëshe tiranase tani kemi pallate 12 katëshe. Rruga ka mbetur po e njëjta, shumica e pallateve janë pa parking, shumica janë vetëm disa kuti betoni që nuk kanë brenda as linjat e ngrohjes, internetit dhe kur të bëjnë projektin, caktojnë vetëm një prizë për dhomë. Mirëpo defekti më i madh është se brenda pallateve dhe apartamenteve nuk ekzistojnë as linjat e ngrohjes, internetit apo gazit. Mendohet që e ardhmja të bëhet gazifikimi i qytetit, nuk ekziston dhe nuk e flet asnjeri. Kjo është një mungesë totale vizioni. Nuk flet fare për linjat e qarkullimit interurban, kemi një hub që është për linjat e juglindjes që është te TEG-u. Pra ata që vijnë nga Korça, Kolonja, Pogradeci dhe do t’i lenë njerëzit 10 kilometra larg qendrës. Ky nuk është shqetësimi i kandidatit të opozitës, se me siguri do ketë ndonjë ‘deal’ me Samir Manen, përderisa nuk flet fare për këtë problem. Kemi problemet me ujin që s’ka asnjë ide. Vijmë te inceneratorët. Ngri, ul inceneratorët. E kuptojmë që kjo është punë e prokurorisë, nëse prokuroria nuk e ka kapur, dil dhe fol në Parlament dhe kjo punë mbyllet këtu. Por ti kur të vish në pushtet çfarë do bësh për pastrimin e qytetit?
Tirana është një qytet i cili për pastrimin ka bërë hapa para, ka qenë dikur jo shumë i pastër para se ta merrte Rama. E mori Lul Basha dhe filloi prapë pisllëku sepse bëri shkurtimesh personelesh. Me ardhjen e Veliajt prapë filloi një aksion për mbajtjen pastër të qytetit. Megjithatë sot Tirana dhe qytetet shqiptare në përgjithësi nuk janë qytete që kanë krahasim me qytetet perëndimore sa i përket pastërtisë. Për shembull, në kohën e Ramës nga fundi i mandatit të tij të tretë, në Tiranë nuk kishe nevojë të lustroje këpucët më shpesh sesa një herë në javë, sot është e nevojshme t’i lustrosh një herë në dy ditë, jo vetëm në Tiranë por gjithandej. Kjo vjen për shkak të ndërtimeve, mbipopullimit, mungesës ulëritëse të kulturës qytetare, në hedhjen e mbeturinave, mbajtjen e qenve dhe që nuk përkujdesen për mbetjet e tyre. Mirëpo çfarë projekti ke ti si kryetar bashkie në këtë drejtim? Mirë ky që është ka problemet e veta, por se mos na ndodh që të biem nga shiu në breshër. Në kohën e Bashës, ai shkurtoi punonjësit e pastrimit të varrezave. Dhe në kohën e tij arriti puna që duhet të paguaje që të pastroheshin varret e të afërmve sepse u kthyen si një vend mbeturinash. Tirana ka probleme të mëdha infrastrukturore, rrimë në trafik nganjëherë kapim dhe orën në trafik.
Pashë një ditë fushatën elektorale të kryetarit të bashkisë së Durrësit dhe ai fliste për abuzime etj, por ti nuk je kontrollor, ti do votohesh për katër vitet e ardhshme. Nëse ka abuzuar paraardhësi dërgoje në prokurori, nëse dhe prokuroria s’bën gjë, prit të vish në pushtet. Dhe në pushtet nuk vihet duke thënë kaq vodhi ky dhe ai, por duke treguar projektet se çfarë do bësh. Kështu që kur të vish në pushtet bëj dosjet gati në prokurori për paraardhësin tënd, mbaj konferencë një herë në muaj të tregosh se çfarë ke zbatuar nga ato premtime që ke bërë, thuaj çfarë po bën prokuroria me këto dosje që ke dërguar. Por kam frikë se kur të vish në pushtet nuk do flasësh më se çfarë po bën prokuroria me dosjet e paraardhësit më tepër se sa një tribunë popullor që po lufton korrupsionin do shkosh aty të mësosh se si ka vjedhur paraardhësi. Për mos folur për momentin kur del Berisha dhe i flet rinisë të disa epoke që vështirë ta kuptosh dhe i flet për revolucionin. Revolucione nuk po bëhen më, u mor vesh që nuk shkon askund, evolucioni të çon përpara. Por është në moshë, ndonjëherë flet dhe përralla, por ajo që më bën përshtypje është se kanë filluar dhe këta që janë kandidatë të tij. Më duket një fushatë nuk po flas për fushatën e PS-së apo PD-së zyrtare, ndërsa këta që pretendojnë të vijnë në pushtet mua më duken komplet pa ide.”, tha Hila në rubrikën “Komenti i ditës” në DritareTv./K.C/dritare.net