Na ndiqni edhe në

Editorial

Shtegu i vështirë i ringritjes së Lulzim Bashës

Shtegu i vështirë i ringritjes së Lulzim Bashës

Nga Dritan Hila

Nëse ka gjë më të lehtë në këto momente është të kryqëzosh Lulzim Bashën. Dhe nëse ka gjë më të vështirë është që Basha të justifikojë humbjen. Sot të gjithë kritikët e tij thonë “a të thamë” dhe shumë nga përkrahësit po hidhen nga varka e tij që po fut ujë. Pas tetë vjetësh në opozitë demokratët e thjeshtë shohin një katër vjeçar tjetër në të njëjtin pozicion i cili do jetë më i vështirë se ata që shkuan. Përveç qenies në opozitë do iu duhet të përballojnë përçarjen, grindjet dhe shizmat që do të vijnë.

A ishte Basha autori i vetëm i disfatës? Jo! Për njëqind arsye, por do rreshtoj vetëm disa.

Në 13 qershor 2020 në një artikull me titull “Vriti Lulzim” e këshilloja që të largonte me fshesë të hekurt Berishën dhe Metën nga koalicioni.

(dritare.net/shet-e-dritanit/vriti-lulzim-688)

Nuk e bëri. Por nuk ishte vetëm faji i tij. As partitë qe dolën nga shizmat e PD dhe liderët e tyre nuk gjetën një fjalë për të kritikuar Berishën. Në mendjen e tyre ai është Zoti dhe nuk ngjan se luftojnë për një parti të re por për të marrë trashëgiminë e tij. Ndaj edhe morën aq pak vota. Edhe ata qe e kritikojnë sot nuk e gjejnë fajin tek Berisha. Akoma nuk e kuptojnë se në 2013-ën vota ishte sa kundër PD edhe kundër Berishës. Shqiptarët janë lodhur prej tij.

Të gjithë e kritikojnë Bashën për qasjen e butë dhe e yshtin të bëjë të fortin. Ky bullizëm e shtyu të dalë nga parlamenti ose në rastin më të keq t’i nënshtrohet vullnetit të Berishës dhe Metës. Sot kostot i ka ai, duke filluar nga shija e keqe që la tek të huajt, deri te mundësia që i dha Ramës të luante si deshte me ligjet. Por vetëm disa i thanë që mos ta bënte. Shumica që kërkon kokën e tij sot, thonë që ishte një vendim i drejtë.

Aleanca me Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij ishte një gur që e bëri të merrte përsipër edhe kostot e tyre. Le t’i lëmë të gjitha shfaqjet e tyre groteske, por sjellja e ç’ekuilibruar e tij në javët e fundit ishte kosto direkte. Prania në listat e PD e figurave që kanë 30 vite në politikë ishte një gur tjetër në qafën e tij. Dhe puna nuk është te kostoja e 25 prillit, por shqiptarët do t’i shohin edhe 4 vite në tribunën e parlamentit, duke i bërë të mendojnë se kjo parti do vdesë bashkë me ta.

Partitë aleatët në listat e tij janë një tjetër peshë. Prej dekadash askush nuk e di nëse këta janë peshë apo kamerdare për PD. Do ishte e mira që ose t’i rifusë në PD ose t’i lërë të lirë në të ardhmen, duke filluar që nga dita e parë e parlamentit, ku secili berr të varet nga këmbët e veta.

Bashkëpunimi me mbeturinat e Aleancës për Teatrin, një mishelë të çekuilibruarish mendorë, injorantësh dhe mazohistësh, e bëri qesharak në sytë e inteligjencës dhe një pjesë e mirë e tyre e refuzuan ta përkrahnin pikërisht nga kjo prezencë. Le të ketë parasysh se në të ardhmen nuk vihet në pushtet me gjithfarë llumi që nxjerr pjaca dhe uebi.

Lista e PD do jetë një kosto tjetër. Disa prej tyre janë emra të pranueshëm. Të tjerët janë subjekt estrade. Të paktën mos t’i nxjerrë të flasin.

Dhe së fundmi bën mirë që kostot e humbjes t’i marrë vetë. Një lider kështu vepron. T’i lerë mënjanë justifikimet për blerjen e votës apo shitjen e votuesve, për manipulime apo tjetërsime. Nuk blihet dot një popull i tërë. Dhe ca më keq mos të ndërmarrë hapin për mosnjohjen e zgjedhjeve. Do vulosë humbjen e PD në 2025-ën dhe hapë rrugë kundërshtarëve që ta linçojnë.

PD duhet të fillojë ringritjen nga vetja dhe ta lerë mënjanë opiumin se do ketë zgjedhje të parakohshme apo qeveri koalicioni. Rama do rrijë katër vite dhe do kërkojë edhe katër të tjera në 2025-ën. Është mirë që t’ia u thotë demokratëve që të përgatiten për një rrugë të vështirë ndaj kundërshtarëve të së njëjtës racë, po aq kokëfortë dhe ngulmues si ata.

E mira është që kjo parti mos ta hedhë poshtë Bashën. Përgatitja e një udhëheqësi kërkon dekada. Minimalisht tetë vite. Do kërkojë ca më shumë me tokën e djegur që është pas Bashës. Ky është ligj i politikës. Vetë Basha duhet të fillojë ringritjen e tij duke kërkuar falje para ndjekësve të tij dhe pastaj edhe për Rrugën e Kombit, Marrëveshjen e Detit apo 21 Janarin. Dhe pastaj të tregojë se ka mësuar nga gabimet e tij dhe ka një vizion që sjell bashkimin dhe jo luftën. Përndryshe e ka të kotë./dritare.net