Shqipëria pret 15 milionë turistë, por kujdes ashensorët!
Dritare.net
Shqipëria sipas parashikimeve do të presë këtë vit 15 milionë turistë. E ndërsa turistët shtohen Airbnb janë në krye të zgjedhjes së tyre, për qëndrimet disa ditore në vendin tonë. Por ndërsa pritshmëria nga turistët është më e madhe se vjet, a jemi gati, është pyetja. Rudina Xhunga në rubrikën e saj ne youtube, Tregimi i Ditës, ndau shqetësimin e një agjenteje turistike në qytetin e Vlorës.
“Zonja më tregoi që në Vlorë, një ndër problemet e mëdha, janë ashensorët në pallate. Mungesa e kontrollit teknik mbi të gjitha e pagesave në komunitet.
Zonja telefonoi për të më thënë se kishte një problem në pallatin ku agjencia e saj administronte apartamente për Airbnb. Në këtë pallat nëse do të hyje në ashensor nuk ishte shumë e sigurt kur dilje, kështu që njerëzit detyroheshin në shumicë rastesh të ngjisnin shkallët. Për shkak të këtij problemi me ashensorin, jo pak e kishin lënë pallatin dhe shtëpitë e tyre po ia jepnin të huajve me Airbnb, të cilët po ankoheshin në masë për mungesën bazike të sigurisë se jetës.
Në këtë pallat, ata që guxonin e hipnin kalonin një pjesë të madhe në ashensor, sepse ashensori ngjitej dhe ngecte në mes te rrugës dhe nuk hapej. Do të duhej dikush të të dëgjonte kur ti bërtisje e të lajmëronte teknikun, që të hapte ashensorin. Kishte pasur njerëz që ashensori iu hapej gabimisht dhe ose shikonin murin ose një copë hapësire, nga ku duhej të kërcenin.
Imagjinoni kur kjo ndodhte me të moshuarit. Shumë shpesh janë shqyer dyert, në pamundësi për të dalë. Në imagjinatën tonë, janë ngjarje që ndodhin në filma, por aty kanë ndodhur vërtet. Pritja e gjatë në ashensorin e prishur dikë e gjente vetëm, dikë me një të panjohur, fëmijë, të moshuar, me probleme shëndetësore.
Përfytyroni ç’mund të ketë ndodhur në atë ashensor. Dhe banorët nuk folën kurrë.
Por të huajt filluan të revoltoheshin dhe filluan të ankoheshin. Zonja që menaxhonte Airbnb kishte marrë vetëm review negative, dhe kjo po i dëmtonte punën. Turistet shkruanin; Ne po shkojmë me pushime në ashensor.
Kjo është historia e një pallati në Vlorë që ka turistë por nuk ka ashensor. Që nuk ka as teknik ashensorësh. Qe nuk ka as kontroll sigurie. Ka vetëm, hajde se do bëjmë si do bëjmë!!!
Ngjan si komedi, por parafytyroni që aty të ndodhë një tragjedi. Dhe kjo nuk është e pamundur.
Ndaj para se të mendojmë si të bëjmë para me Airbnb, duhet menduar si të jemi gati për 15 milionë turistët që presim të vijnë. Dhe dikush duhet të mendojë në qytetet turistike për ashensorët e pallateve të vjetra e të reja që mund të marrin në qafë, njerëz, qytetin dhe turizmin”, u shpreh zonja Xhunga në Dritare TV./dritare.net