Na ndiqni edhe në

Editorial

Revolucioni nga ballkoni! 

Revolucioni nga ballkoni! 


Nga Dritan Hila

Mendoni një skenar të tillë në Itali, Gjermani apo Angli:
Një i moshuar 80-vjeçar del në ballkon dhe fillon e bërtet për të përmbysur qeverinë, për revolucion dhe hatara apokaliptike. Një familje normale do lajmëronte urgjencën për ta qetësuar dhe shmangur talljet nga njerëzit që kalonin në rrugë.
Në rastin e rrugës “Mustafa Matohiti” kemi një realitet të përmbysur. Ata në rrugë besojnë se ato që thotë plaku në ballkon mund të ndodhin madje brohorasin.
E gjitha është një situatë mes qesharakes dhe absurdit, tipike nga tregimet e Mark Tuenit ku shitës ambulantë sharlatanë ofronin lëngje çudibërëse që më dy lugë shëronin dhëmbët, rënien e flokëve dhe syrin e keq. Është një situatë ku prokuroria është në hall sepse bëhet qesharake po të kërkojë arrest me burg për dikë që duhet të ishte në çmendinë. Por njëkohësisht është nën presionin e ligjit.
Ndërkohë qeveria rri indiferente dhe nuk jep asnjë koment. Mesa duket Edi Ramës i shijon kjo punë. I shijon edhe për faktin që gjermania “Bild” merret seriozisht me Berishën dukë vrarë me një gur dy zogj ose më saktë duke u tallur me të dy.
Por kjo situatë është edhe ndihma më e madhe që i jep Berisha, Ramës prej dy vjetësh, pavarësisht se as ia kërkon dhe as ia di për faleminderit. Ai ka premtuar që do të përmbysë qeverinë dhe do bëjë revolucion krahas denoncimit të aferave korruptive të Ramës. Nuk ka ndihmë më të madhe. Kush mbas kësaj komedie revolucionesh nga ballkoni do u besonte denoncimeve qofshin këto edhe të vërteta? Kjo është arsyeja që opozita po kalon nga faza e qenies e parëndësishme në qesharake. Ky person është arsyeja pse asnjë opozitë nuk po bëhet e rëndësishme në këtë vend dhe pse sot të jesh opozitar është bërë e vështirë pasi në vend se të identifikojnë si alternativë serioze të identifikojnë si prurës gallate i tipit Berisha. Pastaj a do të bëjnë vaki revolucione nga një plak që bërtet nga ballkoni, kjo nuk ndodh në një botë normale. Dhe shqiptarët janë akoma njerëz normalë dhe racionalë. Ia kanë lënë në dorë drejtësisë, ashtu siç bën çdo komb i pjekur./dritare.net