Rama kërkoi ndjesë për publikimin e pagave, po për pabarazinë sociale, kush do të kërkojë?
Dritare.net
Sot kryeministri Rama doli në një konferencë për mediat, duke kërkuar ndjesë për publikimin e listës së pagave të mbi 640 mijë shqiptarëve, një akt ky i paprecedent në historinë e shtetit shqiptar, i ngjashëm vetëm me hapjen e depove, ku armët mbushën sheshet.
Publikimi i listës se pagave nuk nxori jashtë armët si dikur, por ama e mbushi me zemërim gjithkënd që mësoi shumë sekrete të pagave në Shqipëri që tashmë, janë sheshit.
Kjo ngjarje solli jo vetëm zemërim, por demotivim, frikë për privatësinë dhe të ardhmen e punës dhe njerëzve që besojnë te puna, ( ka ende të tillë në vend). Konferenca u fokusua te mbrojta e AKSHI-t si institucioni që nuk i ka publikuar të dhënat, por ajo çfarë s’u cek, është kush mban përgjegjësi në Shqipëri, kur sekretet dalin sheshit duke sjellë konflikt social?
Kush mban përgjegjësi për pabarazinë sociale? Kush mund t'i thotë sot një mësuesi, një mjeku, një punëtori, një studenti; rri, mos ik nga Shqipëria? Puno këtu, se puna të shpërblen një ditë! Kush të beson, edhe sikur t'ua thuash?! Dalja e të dhënave ishte komedi, por pasojat do të jenë të gjata të parikuperueshme dhe dramatike për shtetin shqiptar. / Dritare.net