Na ndiqni edhe në

Editorial

Pse po e humb Kosova luftën e fundit!

Pse po e humb Kosova luftën e fundit!

Në rubrikën “Komenti i ditës” në DritareTv, gazetari Dritan Hila ka folur për gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë. Hila tregoi se përse Kosova po e humbu këtë lojë të fundit. Sipas gazetarit, gjithçka po ndodh pasi Kosova, nuk ka dokumente për krimet e serbëve. Hila shprehet se, vetë komandantët që tanimë janë në Hagë, duhet të kishin shkruar historinë e luftës, ashtu siç bënë komandantët serbë.


"Sot ishte një ditë e zezë për Kosovën sepse filloi gjykimi i katër komandantëve kryesorë të UÇK-së, ne Hagë. Është një kalvar i cili ka filluar para dy vjetësh e gjysmë dhe sot ka marrë këmbë ky proces. 4 të pandehurit u deklaruan të pafajshëm. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Është pjesa e fundit e komandantëve që po gjykohen. Të tjerët përpara si Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj janë shpallur të pafajshëm. Akuzat e Dick Martin janë të furnizuara të gjitha nga shërbimi sekret serb dhe të shpresojmë që të paktën për sytë e opinionit publik këto të zhvlerësohen, se gjykata mesa duket është e motivuar politikisht, t’i bëjë qejfin serbëve. Martin po gëzon pensionin e tij, ndërkohë katër komandantë të UÇK-së, ata që kaluan rininë e tyre në mes të përndjekjes serbe, ndjekjeve si kafshë të egra nga ushtria dhe policia serbe, tashmë detyrohen të bëjnë edhe burgun, i cili ka për të qenë i gjatë. Katër komandantë të UÇK-së janë në burg edhe për faj tonin. Ne dihet që kemi një lloj alergjie ndaj dokumenteve dhe gjatë këtyre katër vjetëve, Kosova duhet të kishte dokumentuar të gjitha krimet që bënë serbët. Sot jemi në luftën e Ukrainës, dhe shumë media, po e përmendin luftën në Kosovë si të barasvlershme me luftën që po bën Rusia në Ukrainë. Madje thonë që nuk ka pasur shumë krime. Të gjitha ishin fake news. Nuk ka pasur vrasje, grabitje, përdhunime. Madje po mohojnë edhe 1 milion shqiptarët të përzënë nga trojet e Kosovës.
Shqiptarët fjetën mbi dafina. I zuri vetëkënaqësia. Ne fituam luftën, të thonë çfarë të duan serbet, Kosova është e pavarur. Mirëpo pavarësia e një vendi nuk është fort e sigurt, kur është një pavarësi e re dhe nuk është shume e vështirë të delegjitimohet dhe një komb i delegjitimuar e ka jetën e vështirë. Neve kemi parë si Kosova është njohur nga shtetet dhe më pas është tërhequr njohja e këtyre shteteve nga ana e tyre për shkak të presionit dhe punës serbe. Nuk janë shtete të rëndësishme, por kanë ndodhur. Nuk do të jete çudi që edhe shtete të tjera ta tërheqin njohjen e pavarësisë. Kosova nuk bëri fare punë për të dokumentuar krimet serbe, nuk bëri punë që këta komandantë të shkruanin librat e tyre. Neve shohim se si ish-gjeneralët e ushtrisë serbe kanë shkruar kujtimet e tyre, ku tregojnë se si popullsia shqiptarë ishte një popullsi e cila persekutonte pakicën serbe. Ne kemi parë gjeneralë që tregojnë lavdinë e ushtarëve të tyre. Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka bërë mbi dhjetëra dokumentarë dhe filma artistikë që tregojnë luftën mes tyre dhe UÇK-së. Këtë të fundit e cilësojnë si një tufë lepujsh dhe ushtarët e tyre si garnizone të vogla, toga, kompani që rezistonin heroikisht kundër sulmeve te UÇK-së. Flasin për përfshirjen e integralistëve islamikë në radhët e UÇK-së gjë që nuk ështe aspak e vërtetë. Mirëpo të gjitha këto kanë bërë punën e tyre. Në një Evropë që po ndryshon, që nuk ka qenë kurrë dashamirëse e shqiptarëve, e cila i ndau shqiptarët në katër shtete, veshët e saj janë të prirur të dëgjojnë këto lloj melodish. Komandantët e luftës shqiptare nuk u ulën të shkruajnë librat e tyre. Nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Mjafton të pajtonin gazetarë, shkrimtarë të profesionit që t’i shkruanin këto libra. Mjafton që këto libra t’i përkthenin në gjuhë të huaja. Sepse bota ecën në bazë të dokumenteve. Mos harrojmë që një faktor shume i madh në ndryshimin e opinionit botëror për Kosovën, banorët e saj, prejardhjen e saj është libri i Noel Malcolm “Kosova” i cili ndryshoi gjithë perceptimin perëndimor se kush janë në fakt shqiptarët e Kosovës. Se si ata janë shumicë aty dhe janë popullsi autoktone. Këta nuk e bënë, nuk shkruan librat e tyre, nuk dokumentuan krimet dhe këtë e quajtën të gjithë një pune të kryer dhe sot ja ku jemi. Jemi përballë akuzës që katër komandantët do të gjykohen për vrasjen e 100 shtetasve shqiptarë. Në bazë të akuzës, komandantet i kanë vrarë jo se i kanë akuzuar si bashkëpunëtorë të serbeve, por në fakt i kanë vrarë për arsye pasurimi dhe karrieriste të tyre. Është një akuzë e cila nuk qëndron edhe nga ana juridike. Është e mbështetur në dëshmitarë të cilët, ata vetë janë të akuzuar për krime lufte. Mirëpo ky është defekti. Kosova e pasluftës nuk u mor me komandantët serbë. Të ngrinte akuza ndaj komandantëve serbë që kishin bërë reprezalje kundër popullsisë shqiptarë. Këta sot janë dëshmitarë të akuzës për të treguar krimet që paskan bërë komandantet e UÇK-së. Le të shpresojmë që të kemi një lloj mbrojtjeje efikase te tyre. Le te shpresojmë që qeveria e Kosovës e cila është një qeveri që kujton se Kosovën e ka principatë, se mund të bëjë çfarë të dojë, harron që Kosovës mbi të gjitha i duhet legjitimiteti historik. Pra dhe qeveria e Kosovës të bëjë të sajën bashkë me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të hedhin poshtë këto akuza dhe një ditë të bukur t’i shohim katër udhëheqësit e UCK-së të jenë të lirë dhe të pafajshëm.”, e mbylli komentin gazetari Hila./K.C/dritare.net