Na ndiqni edhe në

Editorial

Nuk është budalla, është shejtan!

Nuk është budalla, është shejtan!

Nga Dritan Hila

Në një mbledhje të këshillit kombëtar të PL ku më shumë njerëz kishte në tribunë sesa në plate, Ilir Meta shpalli vijën e re politike.
Asgjë nuk ka mbetur nga ajo që dikur quhej LSI dhe kishte në radhët e saj profesorë dhe personalitete politike, ashtu sikurse asgjë nuk ka mbetur nga Ilir Meta i dikurshëm. Profesorët e dikurshëm janë zëvendësuar me figura groteske e deri qesharake të cilat Meta do t’i përdorë si gjyle njerëzore në sulmet ndaj institucioneve, ndaj edhe kërkoi klonimin e Ted Blushit në 25 kopje. Metën e dikurshëm ta kujtojnë vetëm pasazhet nga llafosjet e tij, kur tregon sesi ka shkarkuar apo ngarkuar njerëz kur ishte kryeministër, pasi ky i sotmi është një karikaturë e një aktori humori me inteligjencën e Fred Belerit. Ose mbase ky ka qenë gjithmonë por ka ndryshuar Shqipëria.
Asgjë nuk ka mbetur nga LSI-ja e dikurshme e cila ka pasur një tis ideologjik dhe një qasje të majtë. PL sot është thjesht një grupim që si ideologji ka Ilir Metën. Pakkush ka pasur dyshime se ajo parti ka qenë një projekt politik, përveçse një organizatë ku konkurenca do të ishte mes Metës dhe Kryemadhit. Të tjerët do ishin në funksion të tyre, figurantë që delegoheshin në poste shtetërore kur kjo parti ishte në pushtet në funksion të projektit ekonomik të mbajtjes së partisë dhe të çiftit udhëheqës në lojë.
Ka një javë që media merret me çështjen nëse ndarja e Kryemadhit me Metën është reale apo vetëm politike. Në fakt e gjitha ka interes publik zero. Ajo që i intereson njerëzve është a do përgjigjet kush për gjendjen, ku milionat e eurove për politikanët shqiptarë janë gogla në një vend ku pensionisti duhet të zgjedhë mes ilaçeve dhe pagesës së faturës së korentit; a do përgjigjet njeri për vilën me 11 hale në Lalëz, për vilat te Kodra e Diellit; fuoristradat 100 mijë euroshe; mbajtjen e një organizate që quhet parti dhe kërkon minimalisht 200 mijë euro në muaj, apo shkollimet në Angli të fëmijëve të dy personave që në 33 vjet nuk iu ka thënë njeri “puna e mbarë”. Sa për historitë sentimentale me “Dinasty” i shohin më mirë në telenovela sesa në talk show-et banale të televizioneve shqiptare. Sikurse askush nuk ka interes kur ish-presidenti i tyre kacaviret majë hekurave dhe reciton me gjestikulacione të një fëmije 5-vjeçar, pasi njerëzve nuk iu intereson aspak budallai që i zbavit por fati i shejtanit që i ka tallur dhe rrjepur me bllok në dorë për 33 vjet./dritare.net