Na ndiqni edhe në

Editorial

Një vështrim për tezat e Arlind Qorit, Dash Shehit dhe hallin e Ramës

Një vështrim për tezat e Arlind Qorit, Dash Shehit dhe hallin e

Nga Dritan Hila

Ka plasur një debat i madh për pensionet dhe ka shpjegimin me targetimin e kësaj shtrese si fasha më e gjerë e popullsisë në këtë moment. I pari e kuptoi Arlind Qori dhe kryeministri e ndjeu menjëherë që po goditej në një nga shtyllat e tij konservatore që e mbajnë në pushtet. Aq më tepër kur kjo vjen nga parti populiste të majta, të cilat e rrezikoinë marzhin e tij të supremacisë mbi konkurrentët. Qori është i vetmi ndoshta që mund t’i kafshojë nga elektorati por dhe i vetmi që përpiqet të strukturohet.

Dhe kjo më bëri kurioz. Pas mbi dy orë lundrimi në internet, ia dola të gjej faqen e tyre dhe të lexoj programin i cili ishte i mirëfilltë populist. Fliste për zgjatje të sezonin turistik, i cili kërkon dekada që të ndodhë dhe në kohë të shpejtë ndodh vetëm nëse rrisin cilësinë e diellit mbi nahijen tonë; përmirësimin e kushteve sociale; stimulimin e bujqësisë dhe krijimin e bursës së saj; rimarrjen në pronësi të burimeve natyrore dhe ngritjen e industrive nga ajo e lehtë deri në atë të rëndë, objektiva këto që edhe Enver Hoxhës iu deshën nja 30 vjet t’i bënte dhe nuk ia doli kur u prenë burimet ruse dhe kineze; krijime institutesh etj. Janë fjalë që gjithkush mund t’i shkruajë, derisa dikush të kujtohet të thotë: Po paratë?

Të vetmet që kishin një shifër ishin pensionet. Thoshte që do ta kalonte pensionin mesatar nga 17.000 në 32.000 lekë. Pra, thënë në euro, një rritje prej 150€/person. Duke ditur që janë 700 e ca mijë pensionistë, i bie që do t’i duhen nja 1 miliard e kusur euro. Domethënë gati do e dyfishonte duke e kaluar këtë fond nga 50% që financohet nga buxheti i shtetit, në 75%. Kjo skemë do ta falimentonte që në vitin e tretë shtetin shqiptar pasi do bllokoheshin investimet dhe financimet në sektorë jetikë për vendin.

Më interesanti ishte ai i LZHK të Dash Shehit. Ky duke qenë një ish shtetar, propozonte një fond 400 milionë eurosh ku rreth 200 do ishin nga buxheti dhe të tjerat nga taksat. Ngjante me qenin që do të kafshojë bishtin e vet, dhe i dyshimtë në zbatimin në praktikë, por të paktën kishte sens.

I fundit dhe ai që ka realisht hall është Edi Rama, pasi siç duken bathët, këtij me të vërtetë do t’i duhet një rrugë sesi të mbajë në këmbë këtë vend edhe për nja pesë vjet.

E vërteta është që këtu një punon dhe prodhon realisht, kurse tre të tjerë hanë (administrata, fëmijët, pleqtë). Popullsia po plaket dhe pjesa riprodhuese dhe prodhuese e saj po shkon në emigrim. Janë gjithmonë e më të paktë kontribuesit e skemës së pensioneve që në fakt është një skemë solidariteti (babai im paguante sigurime që të merrte pensionin gjyshja; unë paguaj që ta marrë nëna ime kurse vajza do paguajë që ta marr unë). Kjo skemë është plakur.

Shëndetësia në një vend të plakur bëhet gjithmonë e më e kushtueshme. Mjafton një krahasim që një shtrim i thjeshtë në urgjencën e një spitali privat ku përfshihen analizat e gjakut dhe një ekg, kushton 26.000 lekë, kurse në urgjencën shtetërore përballë tij e ke falas, dhe kuptohet kostoja e saj. Një popullsi që po plaket do ketë gjithmonë e më shumë nevojë për shërbimin shëndetësor, pa llogaritur që 30% e buxhetit të këtij shërbimi e zë muaji i fundit i jetës së një pacienti.

Ndërkohë vendi ka një ekonomi ekstensive me mangësi të mëdha në fushën e kërkimeve, që është edhe fusha e të ardhmes. Universitetet nxjerrin produkte skarco që nuk kanë treg kurse kapacitetet kërkimore i kanë zero. Institute kërkimore pothuaj janë inekzistente. Por mungon edhe industria e lehtë, që në kushtet e mungesës së krahut të punës duhet të automatizohet duke e bërë më të kushtueshëm investimin fillestar. Kurse aty ku kërkohet prania njerëzore si psh restorazioni dhe hoteleria, duhet po ashtu punë e kualifikuar.

Ndërkohë vendi është rikthyer në vend agrar ekstensiv, me ngastra të punueshme dhe hapësira të tëra toke që po degjenerojnë apo kripëzohen. Pronësia mbi tokën është bërë gangrenë dhe ligji 7501 ka bllokuar sektorin. Nëse nuk bëhet një reformë që tokat e dhëna me këtë ligj në rastet që nuk punohen tre vjet, sekuestrohen, dhe po ashtu ato të marra si kullota apo pyje të mirëmbahen, bujqësia këtu ka për të mbetur në nivelin e bahçeve që plotësojnë nevojat familjare.

Shqipëria ka realisht vështirësi dhe një dilemë sesi do zhvillohet, por kjo kërkon plane serioze afatgjata minimalisht 25 vjeçare, aq sa është edhe mosha statistikore e hapit mes brezave; konsesnsus gjithëpalësh mbi të gjitha, dhe jo programe në një fletë bakalli apo me ulërima nga kati i tetë. Ka vetëm një rrugë që pensionet të rriten pa prekur sektorët e tjerë dhe kjo është që shqiptaret të lenë gjysmën e rrogës në taksa dhe detyrime. Derisa t’ju mbushet mendja për këtë, do vazhdojmë me skemën që femijët ndihmojnë prindërit, duke shpresuar se ditët e mira paskëtaj vijnë./dritare.net