Na ndiqni edhe në

Editorial

Një mesazh kërcënues në Dritare!

Një mesazh kërcënues në Dritare!

Nga Rudina Xhunga

Jemi në tregimin e ditës, në tregimin e një dite të hëne që paraprin një javë fushate, mediatike, politike. Dhe pse është më shumë politike sesa mediatike. Por nuk do ndaloj tek fushata, nuk është ajo që përbën interesin tim sot. Sot do flas për diçka që më bëri përshtypje sepse duhet folur për të. Mbase personi që e ka bërë nuk më dëgjon, por unë do doja të flisja me njerëz të tjerë. Unë besoj tek e folura. Në një nga këto ditë bëmë një vox pop. Ne nuk jemi shumë të fokusuar te zëri i popullit, të pyesim çfarë ndodh, por mundohemi t’i marrim përmes sondazheve, mendimet, qëndrimet dhe opinionet e njerëzve, por ndonjëherë kemi dëshirë të dëgjojmë çfarë mendojnë njerëzit.

Nuk shkojmë te sheshi “Skënderbej”, apo të tallemi me njerëzit që intervistojmë, nuk bëjmë pyetje qesharake, i trajtojmë me shumë kujdes siç do donim të na trajtonin. Nuk mbajmë qëndrim. Pretendojmë dhe preferojmë që të dëgjojmë vërtetë qëndrimin e njerëzve. I tillë ishte dhe sondazhi që u bë këto kohë në lidhje me autobusët, pasi shumë njerëz i ngacmoi, u përfshinë në fushatë. Ndonjë ngjarje të madhe fushata në Tiranë nuk ka pasur, ndaj vendosëm të pyesim njerëzit. Dolëm dhe pyetëm shumë prej jush. Pyetëm shumë pensionistë dhe të shumta ishin reagimet e tyre. Njëra nga zonjat pati një reagim që ngacmoi më shumë njerëz, mori më shumë vëmendje, klikime. Në Instagram dikush e fyeu këtë zonjë. Komenti u fshi shpejt prej nesh, sepse nuk lëmë komente që dhunojnë, frikësojnë që turpërojnë. Por kishte qenë mjaftueshëm në faqe sa ta shikonte nipi i zonjës, i cili bëri një koment të cilin e fshimë. Ai na shkroi më pas një mesazh. Ishin mesazhe të një krimineli. Ai kërcënonte se do na vinte flakën, kërcënonte se do na vriste, se do na dhunonte, kërcënonte familjet tona, jetët tona, fëmijët tanë. Një kriminel, mesazhi i të cilit duhet denoncuar siç po e bëj unë publikisht, por do ta bëjmë edhe ligjërisht. Një njeri, i cili guxon me atë gjuhë, fyen, intimidon, frikëson, kërcënon, dhunon, ofendon, një njeri analfabet është një kriminel i lindur. Ky njeri pretendoi se po mbronte gjyshen, që thoshte se po e tallnim ne. Kush po e tall gjyshen tënde? Gjysha jote është një zonjë, gjyshja jote di të flasë, gjyshja jote nuk ka nevojë për një analfabet si ti që ta mbrojë. Gjyshja jote mbron veten sepse di të komunikojë. Na pëlqen mënyra se si flet gjyshja jote edhe pse unë nuk e di vërtetë se cila ishte gjyshja jote nga ato zonja. Të gjitha ato qenë gjyshe të dikujt dhe të gjitha flisnin shumë mirë, sepse gjyshet në këtë vend dinë të flasin, nipërit janë kriminelë, analfabetë. Nipërit po rriten pa shkollë, pa ideale, pa kauza, pa objektiva, pa qëllime. Nipërit po vrasin për 5 lekë. Ndaj gjyshet nuk kanë nevojë fare për mbrojtjen e nipërve, sidomos ata si ti.

Po të them që ke një rrugë të shkurtër, rrugë shumë të shkurtër, rrugë që të çon asgjëkund. Nuk po të kërcënoj, thjesht po parashikoj fatin e atyre si ti, që guxojnë të shajnë, që mbas të sharit, vriten me njeri- tjetrin, që marrin më qafë njerëz të pafajshëm dhe veten. Këtë po ta them ty që guxove dhe fole me atë ton në mesazhet e Dritare Tv. E turpshme, e ndyrë, e poshtër. Nuk frikëson asnjë ti, se ti je preh, ti je gjah, i fatkeqësisë tënde të moskomunikimit, të mos të folurit. Unë do të kuptoja shumë mirë dhe kuptoj çdo njeri që thotë: “Të lutem nuk dua të intervistosh gjyshen time” dhe unë do të shpjegoja që ne nuk intervistojmë pa leje, nuk shkojmë me kamera të fshehta. Shkon një gazetar, një operator, i merr leje, e xhiron, i merr mendim, e njofton ku do jepet etj. Madje-madje gjëja që bëjmë më shpesh, është që i tregojmë që do të jepet në Dritare TV, bëni një ‘subscribe’ dhe njoftoheni kur të jepet. E bëjmë me shumë kënaqësi dhe e bëjmë me një komunitet njerëzish të njohur, që e njohim njëri- tjetrin. Dhe ju e dini shumë mirë që ky komunitet njerëzish këtu flet, sepse e di ku flet.

Dritarja është e hapur për të gjithë. Është një dritare me ajër të mirë, me aq sa mundemi dhe aq sa dimë. Por nuk bëjmë keq me qëllim, kurrë. Ndodh që dhe ne gabojmë. Por ne kemi ngritur kauza, siç ishte ajo e mësueses që intervistuam në rrugë. Ajo ishte një kauzë për të gjithë mësuesit që t’ju dëgjohet zëri. Kush tha që këta gjyshër paskan nevojë për mbrojtjen e nipërve që janë analfabetë? Ata janë ish-mësues, ish-doktorë, ata kanë qenë të rinj dikur, por kur ishin të lirë lexonin, mësonin, nuk e kalonin kohën duke u rrahur me njeri-tjetrin, kush do vdesë i pari. Çfarë është kjo radhë se kush do shkojë më parë në varreza, mes këtyre të rinjve të painformuar, të paangazhuar. Kur pashë këtë mesazh u ndjeva keq, por nuk frikësohem nga këta plehra që shkruajnë, përkundrazi i tregoj vendin, i denoncoj. Unë kam frikë nga një brez i tillë, për oborrin e përbashkët, vendin ku po jetojmë të gjithë, për klimën e përbashkët që është e përbërë nga njerëz si ky, që shajnë, ofendojnë, që përdorin fjalë të pista, që ndjehen të fortë kur shajnë, kur përdorin fjalë të pista. Nuk e di si ndihen. Ndihen burra këta?

E tha mirë profesor Lloshi: “Ti nuk mund të shash një femër sepse ajo ka drejtë të të hedhë në gjyq!”. Këta përdorin lloj-lloj fjalori dhe habiten kur u vete fleta e gjykatës. Si ka mundësi thonë, çfarë të keqe ka kjo se ne kështu flasim. Kjo është një gjuhë që vjen nga gjuha e drunjtë, nga mungesa e komunikimit. Ky që mbron gjyshen, e para gjyshja nuk ka nevojë për mbrojtjen e tij, por e dyta edhe gjyshja mbase duhet të bëj diçka më shumë. Unë e di që është kohë tjetër, nuk të dëgjojnë nipërit, fëmijët, por duhet bërë e jotja. Duhet vazhduar, duhet folur. Nuk duhet të dorëzohesh duke folur, duke i treguar çdo ditë nipit çfarë është e mirë dhe e keqe. Le të thotë ai: “Ti je gjeneratë tjetër, ne mendojmë ndryshe, tani është kohë ndryshe.” Jemi vërtetë në kohën e inteligjencës artificiale, por këta janë analfabetë funksionalë. Këta nuk kanë asnjë lloj inteligjence. Nuk është se këta janë gjeni dhe nuk duan t’u flasësh se po i ndërpret shpikjen. Nuk kanë fare lidhje me edukatën minimale, informacionin, zhvillimin e botës. E vetmja gjë që mendojnë është se ka hanxharë, do vrasë shokun se i ngacmoi të dashurën në Instagram, apo do vrasë një gazetar se intervistoi gjyshen pa leje.

Çfarë bëni çuna dhe goca?

Është një botë tjetër vërtetë, por është një botë për njerëz që përshtaten, zhvillohen, nuk është bota e të prapambeturve. Jeni tmerrësisht mbrapa, jeni mbrapa gjyshërve tuaj. Jo si ajo Dr.Eneda Toska, që intervistova, që ka bërë shpikje e ka marrë çmim për investigimin si mjeke për ilaç kundër kancerit të gjirit. Janë të tjerë njerëz ata me të cilët matet kjo kohë, jo ju që shani në Instagram dhe ndiheni të fortë, ose dhe në rrugë. Dhuna e këtyre njerëzve të paedukuar i bën ata të ndihen të fortë, në një kohë tjetër. Po kjo është koha e të prapambeturve, kështu kanë qenë barbarët, dhunues, me fjalor të ndyrë, pa fjalor. Bota ka një zhvillim tjetër. Përshtatu ose zhduku! Nuk mund të mbijetosh ndryshe po nuk u përshtate dhe përshtatja nuk vjen me hanxhar dhe dhunë, fillon në tru. Kjo është gjëja që mundohem t’ia them kujtdo që kam komunikim. Edhe në Instagram, edhe kur fyejnë u përgjigjem me mënyrën time, ne të gjithë përgjigjemi në DritareTv. Por ky njeri meriton tjetër përgjigje. Ky njeri nuk meriton t’i shkruash. Kjo ishte ajo që doja të ndaja për gjuhën e dhunës. Unë e di që do thoni se është media që ta imponon dhunën, por jo të gjithë. Sikundër di dhe një gjë tjetër që duhet folur, pavarësisht se ai është dhunues, duhet folur me të. Duhet folur me dhunuesin, duhet folur me terroristin, duhet folur me diktatorin , duhet folur kundërshtarin, duhet folur me gjyshen, duhet folur me burrin, duhet folur me gruan, duhet folur me fëmijën, duhet folur me komshiun, me armikun nëse është i tillë, duhet folur me konkurrentin, duhet folur me rivalin, me atë që të bezdis, me atë që të tradhton. Fol, fol, fol, vetëm këtë armë ke në dorë. Edhe nëse nuk të dëgjon, ti bëj tënden, fol. Por fol mirë, fol shqipen e mirë. Po mundohemi në të gjitha mënyrat ta bëjmë këtë në emisionin Shqip, në DritareTv, në Koment, kudo që ne përpiqemi. Ne jemi dritare e vogël, por dritaret nuk maten nga përmasat e kanatave, por nga ajri që sjellin. Ndaj përpiqem shpesh të flas, të bëj dhe tjerët të komunikojnë, në një mënyrë që e bën botën më të mirë. Fjala mund të na shpëtojë, fjala shqip, fjala e mirë edhe anglisht po të duash, por anglishten e mirë sepse fatkeqësia është se keni mësuar vetëm fjalët e këqija të anglishtes. Për komunikimin doja të flisja sot, për komunikimin që na lidh, për komunikimin që na bashkon, për komunikimin që na zhvillon. Bashkohu në Dritare, na ndiq, përfshihu, komento, propozo. Kjo është një dritare e ideve të reja, është një dritare e diasporës, po e them për herë të parë me kaq identitet sepse po ndjej se diaspora po shtohet dhe ne po mpakemi./dritare.net