Na ndiqni edhe në

Editorial

Një histori me tokat e Edi Ramës që është halli i shumë shqiptarëve!

Një histori me tokat e Edi Ramës që është halli i

Nga Dritan Hila

Ka një valë sulmi ndaj Edi Ramës lidhur me disa toka që paskan marrë njerëzit e tij dhe i bie që do marrë pjesën edhe ai vetë, në majë të malit. Sesi është e vërteta mbetet ta shikojnë gjykatat, por puna është që andej nga vjen akuza, fut ujë. Kështu p.sh nga ana e akuzuesve është njëra nga Viçidoli që me emër fals ka 400 ha në Pishë Porro. Ose njëri nga Viçidoli që në Orikum e Karaburun, në emër të një shoku nga Dibra ka 360 ha. Madje kur donte të ndërtonte, desh la leshtë me dukatasit që e kanë historikisht pronë të tyre.

Duke ardhur te Rama, më kujtohet që nëntë vite më parë u ndalova në një restorant në Dukat, që është në krah të monumentit të Sado Koshenës.

Kur e pyeta të zotin për historinë e gruas, më tregoi që kur greku i ‘13-ës i ishte afruar Vlorës, ku ullishtat e saj ishin mbushura me shqiptarë të Çamërisë, dukatasit dolën t’i bënin ballë, por duke parë numrin e madh të grekëve u kthyen prapë në fshat.

-"Ku veni?"-i pyeti Sadoja.

-"Ishin shumë dhe nuk bënim dot dyfek me ta?"-ia kthyen burrat.

-"Epo hajdeni e futuni në çitjanet tona atëherë!"-iu kthye labja e sertë, duke i vënë në sedër burrat e një fshati të dalluar për trimëri e burrëri. E kështu, u kthyen duke zënë frontin në Llogara. Ndërkohë himarjotët me në krye kapedanin e krahinës Spiro Kolekën (stërgjyshi i Edi Ramës), u ranë në shpinë grekëve, që të ndodhur mes dy zjarreve, u tërhoqën, për ta harruar njëherë e mirë Vlorën.

Shpesh viktima të folklorit dhe tregimeve në bythë të rrapit, shqiptarët i tregojnë përrallat si histori të certifikuara. P.sh një nga këto është që Rama me Olsin do ndanin çadra nëse komunistët nuk do kishin përmbysur ca klasa të vjetra që quheshin bejlerë. Përralla. Gjyshi i Ramës, ishte përfaqësuesi fuqiplotë i Banca di Napoli dhe me një fjalë të tij i jepej kredi edhe qeverisë shqiptare, kurse tregtarët e Vlorës blinin mall me garancitë e Thoma Kolekës. Le të pyesin vlonjatët e vjetër se ua tregojnë.

Që të jemi konform me historinë, duhet të sqarojmë se familja nga nëna e Ramës, ishte një familje e madhe jo vetëm në Vuno, por edhe në Vlorë. Shtëpitë e dajave të tij janë edhe sot e kësaj dite në qendër të Vlorës. Spiro Koleka kishte studiuar në Itali, në vitet ‘30-të të shekullit të shkuar, për inxhinier dhe kjo nuk bëhej dot nga fukarenjtë dhe për të qartësuar dashnorët e historive të kafeneve, revolucionet nuk i bëjnë fukarenjtë. Pavarësia u shpall nga bejlerë ose bajraktarë; Ahmet Zogu ishte princ i Matit dhe produkt familjesh të mëdha të Shqipërisë së Mesme, e për të ardhur më vonë në vitet ‘40-të, komunistët në shumicë vinin nga familje të pasura: Manush Myftiu ishte pronar i gjysmës së Vlorës; Mehmet Shehu ishte djalë i një Shehu; vetë Enver Hoxha vinte nga një familje e madhe gjirokastrite, e cila kishte qenë për 22 vjet kryetar bashkie i një qyteti zotërinjsh, për të ardhur në ditët tona, ku p.sh edhe vetë Berisha vjen nga një fis i madh dhe me emër. Prania e njerëzve me prejardhje modeste në krye të revolucioneve e të shtetit është më shumë shkak i rastësisë. E kundërta është rregull.

E nëse Rama duhet penalizuar për një gjë, kjo ka të bëjë me faktin që njerëzit e tij akoma nuk po marrin tokat se sorollaten gjykatave. Imagjino të tjerët. Kush ka marrë tokat me ligjin 7501, as i punon, as i paguan taksat, por t’i shet sa frëngu pulën. Shumica kanë ikur jashtë dhe i kanë lënë djerrë. Ata që kanë tokat e të parëve të tyre mbetën gjykatave dhe shikojnë si u janë mbivendosur ca që bëjnë edhe si të djathtë. Shikojnë sesi ca kompensohen te tokat e tyre ca falsifikatorë, kurse pronarët legjitimë po vdesin duke pritur vendimet e gjykatave. Ky po, që është faji i Edi Ramës. Dhe mbase kjo do t’i shërbejë që të vejë haka tek i zoti./dritare.net