
Nga Dritan Hila
Ngjan se Edi Rama do fitojë shumicën e bashkive. Janë të sigurta për Berishën Kukësi, Hasi, dhe natyrisht Bajram Curri. Shkodra është basti i madh, por kandidati i Ramës, Benet Beci, është një teknicien i promovuar nga Berisha e që më vonë ndërroi kamp. Është pa identitet e pa këllqe për atë qytet dhe shpresa është te suporti i Tom Doshit.
Është në dyshim Durrësi për vetë kandidatin me profil të ulët të së majtës, jo se kjo ndryshon gjë. Ndërkohë edhe Elbasani është në teh të thikës mes dy forcave dhe me situata të ngjashme me Durrësin.
Tirana padyshim që është lakmuesi i humorit të popullsisë, por Erion Veliaj duket që nuk e ka problem madje po jep një dorë kandidatëve të majtë edhe në bashkitë e tjera të qarkut.
Por në rang republike sondazhet janë zhgënjyese për të majtën. Jo të tillë që vënë në diskutim fitoren, por ama që e bëjnë një fitore të hidhur pasi ajo nuk e kalon pragun e saj historik. Me një Berishë të nxjerrë jashtë litarëve të ringut nga amerikanët dhe një Metë që është në ring vetëm për shkak të dompingut që merr nga përkrahësit e PD-së, ky koalicion nuk duhet ta kalonte pragun e 20%. Kurse e majta duhet të kishte një supremaci dërmuese. Por mesa duket të majtët nuk janë entuziastë kurse ndjekësit e Berishës nuk i prekin të mirat e parajsës.
Ajo që bie në sy është sjellja prej aparatçikësh e PD-së zyrtare. Më shumë se një forcë politike këta janë llogaritarë me shkollë të mesme të cilët edhe fondet e fushatës i mbajnë për vete.
Gjithsesi është gabim të thuhet se kjo fushatë nuk ka asgjë të re. E reja është pikërisht ajo që nuk ka asgjë të re./dritare.net

















