
Nga Dritan Hila
Deputeti Agron Shehaj ka bërë një verifikim të formularëve që kërkojnë thirrjen e kuvendit të PD-së.
Nga 170 delegatë, zotëria deklaroi se ju përgjigjën 56-57%. Që do të thotë se 97 delegatë ju përgjigjën. Nga këta, 80% i thanë që kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit. Që janë 77 delegatë. Nga këta 2 prej tyre pretendojnë që ju janë falsifikuar firmat. Nuk po merremi me faktin që ky është një akt që e kompromenton komplet procesin pasi nuk flitet për gabim, por për krim të qëllimshëm. Ashtu sikurse deklaratat e zëdhënësve të Berishës se i kanë hequr nga numërimi formularët sa herë që i zënë me presh në dorë së bashku me përrallat gjysmë të përgjumura me "Toyota" të Berishës në Foltore, po e kthejnë procesin në estradë. Por le ta tejkalojmë.
Pra, jemi në 75 delegatë që janë për mbledhjen e Kuvendit më datën 11 dhjetor. Janë më pak se treçereku që pretendon Berisha se janë për Kuvendin që do të mbledhë. Nëse e marrim për kampion verifikimin e Agron Shehajt, i bie që nga delegatët që mbulon zona e tij, vetëm 44% janë për mbledhjen e Kuvendit nën hyqmin e Berishës.
Këto shifra sfumojnë pretendimet e Berishës për mbështetje masive, sikurse edhe sondazhet që duan t’i japin ngjyra shkencore. Aq më tepër që sondazhet brenda një partie nuk përkthehen patjetër në suport elektoral. Pasi ndryshe mendon një anëtar i PD-së dhe ndryshe një votues i saj.
Gjithsesi ky është një problem i demokratëve, kurse shifrat që jep Berisha kanë lidhje me tipologjinë e tij të mbetur që nga koha kur militonte në PP dhe realizimit me 110% të planeve 5-vjeçare.
Ajo që kthehet në problem për shqiptarët është që të dy gjysmat e PD-së shfaqin një profil agresiv. Për publikun është problem një rikthim i Berishës në krye të PD-së pasi edhe revolucioni i tij i fundit është i ngjashëm me të gjitha lëvizjet e tij të mëparshme që bazohen mbi disinformimin, mbështetjen e rreme, agresionin verbal dhe manipulimin. Kurse krahu tjetër qoftë për faktin se nuk njeh kulturë tjetër politike veç berishizmit apo për shkak të ngurtësimit që sjell beteja, nuk është një risi. E gjitha kjo, më shumë sesa ndarja në dy parti, do të sjellë disfatën elektorale të rradhës, pasi Berisha dhe berishizmi janë një film i parë për publikun i cili ka katër herë që refuzon ta rishohë./dritare.net

















