Nga Rudina Xhunga
Ne bëmë bashkë një foto në një fushë me livandë. Ishte fotoja e fundit. Para se të ikte përgjithmonë.
Iku nga kanceri i gjirit. I ishte dedikuar punës me vajzat dhe gratë që i kujtojnë shqiptareve, çdo tetor, të bëjnë kontrollin e gjirit. Dhe nuk e bëri të sajin. Derisa ishte vonë.
Unë e dua shumë atë zonjë, shkencëtare, dinjitoze, e pamoshë. Nuk e dija që kishte kancer gjiri. Kontrollohej çdo vit. Veç atij viti të ngarkuar pandemie kur spitali u dynd nga raste të shtuara. Atë vit ndodhi. Ajo e mësoi më vonë.
Ajo është energjia vetë. Shpërthyese dhe e pakthyeshme, nëse ka një ide. Ishte bashkë me vajzën, kur më tregoi se çdo vit madje dhe dy herë në vit, e bënte ekon e gjirit te Landi, sepse kishte histori familjare dhe ruhej. Atë vit, vetëm atë vit e kishte harruar, sepse projekti i jetës së saj e donte të tërën për vete dhe para projekteve ne dorëzohemi. Atë vit ndodhi. Ajo e zbuloi një vit më vonë.
Kanceri i gjirit është aty, pret që ti të harrosh, të kesh një punë, një projekt, të mos gjesh kohë, të kesh frikë, të kalosh stres, ta shtysh. Kanceri i gjirit nuk është ngjitës, por është tinëzar. Të huton, të pengon ta zbulosh sepse të do ty.
Ty, vajzë, grua, nënë, gjyshe, mjeke, aktiviste, mësuese, shtëpiake. Të do të dorëzuar!
Të do të jesh vonë.
Kur vjen tetori ne bëhemi bashkë të gjitha nga Ministria e Shëndetësisë tek influencueset e Instagramit, nga vajzat e emisioneve te çdo grua që ka një rrjet social, pikërisht për këtë, të kujtojmë njëra-tjetrën, që të shkojë të bëjë ekon.
E bëjmë në tetor se bëhet më e lehtë të kryesh vizita këtë muaj, lehtësohen procedurat, hapen më shumë mundësi për të gjitha e çdo moshë, të bëjë eko dhe mamografi.
Mbase kjo duhet të ndodhte çdo muaj, por s’ka gjë, edhe ky muaj në 31 ditët e tij ka kohë plot të kujtojmë njëra-tjetrën se jeta jonë vlen.
Qe nesër bëhet vonë. Këtë tetor më ngjan se më shumë se kurrë janë shtuar zërat që si zile alarmi, zgjojnë njëra-tjetrën. Po u shtohem dhe unë sot, një zë më shumë.
Të të kujtoj e dashur grua që po më lexon; Preke gjirin tënd, lër orar për ekon dhe mamografine që do bësh nesër. Mos u bëj vonë!
Ne i duhemi vetes sonë!/dritare.net