Na ndiqni edhe në

Editorial

Ne do t'ia dalim, ia vlen të jetosh!

Ne do t'ia dalim, ia vlen të jetosh!

Nga Rudina Xhunga

Kauzës për Tetorin Rozë i jam kushtuar hershëm, për shkak se kam pasur vajza dhe gra të njohura që kanë mbijetuar dhe nuk ia kanë dalë dot. Jam e emocionuar ndërsa do hap këtë aktivitet që është përmbyllësi për Tetorin Rozë, por dua ta zhdramatizoj pak, përndryshe do nis të qaj dhe unë. Kur po vishesha, zakonisht këtë kostum e vesh me kanatiere. Pasi gjithë jetën na kanë mësuar mbulohu, mbulo gjoksin. Kështu na kanë mësuar mamatë. Mbulo gjoksin, zbulo gjoksin, por nuk na kanë mësuar një gjë bazë.

Kontrollo gjoksin! Mbro gjoksin!

Kjo është kryesorja, duke mbrojtur dhe kontrolluar gjoksin tënd, t’i parandalon një kalvar pafund, nga ato ku jo gjithmonë ka dritë në fund të tunelit. Sot dua të pyes, vajza, gra, mjekë dhe Ministren e Shëndetësisë që ka organizuar një nga fushatat më të zëshme që kam ndjekur së fundmi, për të kuptuar si mund të ndihmojmë njëra-tjetrën duke u kthyer në zile alarmi, që të zgjojmë vëmendjen tonë.

Kontrollo gjoksin!

Unë jam e sigurt se dhe këtu në sallë, ka gra dhe vajza që janë bërë vonë për këtë kontroll, edhe pse i kanë të gjithë mundësitë. Nuk jetojnë në asnjë fshat të Republikës, ku është më e vështirë dhe duhet të vijë tetori. Por kanë pasur një punë, mamaja sëmurë, fëmija para adoleshente, dhe vonohesh për të bërë kontrollin e gjoksit tënd. Ajo zonja që unë njoh, me sytë aq të bukur, ishte një vit vonë kur shkoi të bënte kontrollin. Ajo thotë që shpëtova, por ishte një vit vonë. Vetëm për shkak të projektit që duhet ta përfundonte në kohë.

Por a ia vlen para jetës?

Besoj të gjithë e mbani mend Ninën. Unë e njoha vonë, para se të ikte. Ishte shumë vonë për mua. Ajo donte të fliste për jetën e saj para se të ikte. Më tregoi gjithë jetën e një gruaje, në përpjekje për të mbijetuar. Është kollaj kur flet. Por kur je në rolin e një gruaje në Shqipëri që heq kostumin dhe vesh përparëse, e ke 1000 e 1 probleme është vështirë të mbijetosh.

Nina, ishte një nga ato.

Që përpos të gjithave, në një moment të jetës, zbuloi motivin për të qenë aktiviste dhe iu bashkua grave në luftën për parandalimin e kancerit të gjirit. Por vetë nuk e bëri kontrollin sepse mendoi se nuk mund të kesh kancer gjiri në atë moshë. Por e pati! Ditën që unë transmetova emisionin, me Ninën, ajo ishte në shtratin e Onkologjikut dhe nuk e pa dot. Por e panë fëmijët e saj, të afërmit dhe mjekët e Onkologjikut, që nuk e vë dyshim se bluzat e bardha, kanë lot, zemër edhe ndjenja. Nuk e kam vënë në dyshim kurrë këtë për mjekët, është e brendshme. Ne duam t’ia lëmë gjithmonë problemin mjekëve. Ndodh edhe me burrat, zihemi dhe ia lëmë fajin atyre. Ne duam ta heqim nga vetja, se është shumë, të mbash hallin edhe problemin. Është një sëmundje, ku t’i nuk sheh jetën në fund por vdekjen. T’i ke frikë, shumë frikë, 1000 pyetje, ku deri më tani mendonin që është ngjitëse. Ja pra nuk dimë, pasi kjo është një sëmundje me shumë të paditura.

Por një gjë duhet t’ia themi njëra-tjetrës, kontrollohu!

Mos e lërë veten të bëhesh vonë, vendose zilen e alarmit për të shpëtuar jetën, pasi kanceri është aty për të pritur që ne të vonohemi dhe të harrojmë. Ta bëjmë në kohë, jo për fëmijë, burrat, apo ëndrrat tona, por për jetën dhe veten tonë. Jeta jonë është institucioni më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. Dua të jetoj, dua ta bëj për jetën, këtë duhet t’i themi vetes tonë!

Dua t’i them vajzave dhe djemve që keni nevojë për ne, ne do të jemi gjithmonë këtu me ju. Ne do t’ia dalim, se ia vlen të jetosh./dritare.net