Na ndiqni edhe në

Editorial

Media ndërkombëtare për Shqipërinë, në 1997-ën dhe 2023-shin!

Media ndërkombëtare për Shqipërinë, në

Në Tregimin e ditës, në Youtube, Rudina Xhunga, tregoi për Shqipërinë e 1997-ës dhe të 2023-shit, në sytë e gazetarëve të mediave ndërkombëtare. Gazetat ndërkombëtare, CNN, BBC, The Guardian, La Republica, në 1997-ën tregonin se Shqipëria ishte në buzë të luftës civile, që kishte rrëshqitur në kaos, që fëmijët shqiptarë kishin marrë armët dhe vrisnin e vriteshin. Tregonin një kohë, që e kujtojmë shumë mirë, jemi dëshmitarë të asaj kohe. Shumë shqiptarë ikën nga Shqipëria pikërisht në ‘97-ën, nga trazirat e asaj kohe. Dhe bashkë me ta, ra dhe shteti shqiptar. Mos ardhtë kurrë ‘97-ta! Ky është urimi që bëjmë ne! Ndërsa sot, në vitin 2023, të njëjtat gazeta ndërkombëtare, tregojnë për një Shqipëri e cila pret vizitorë, një itinerar i pazbuluar, i mrekullueshëm, i besueshëm dhe fantastik. Kur i shikojmë këta artikuj nuk na besohet që po flasin për ne.
Sërish ndjen emocion, por kësaj radhe është emocion me ngjyra, emocion pozitiv dhe fantastik, për vendin tënd që ka ndryshuar kaq shumë, që po ndryshon dhe do të ndryshojë për shkak të turizmit që rritet edhe sajë, këtyre mediave ndërkombëtare.
Ne po shikojmë përmbytje turistësh në Shqipëri. Në çdo pikë karburanti ka motoristë, në çdo shesh ka të huaj, çdo hotel është i zënë, nuk ka më vende. Janë shumë turistë, që po vijnë ngado dhe presin vetëm që ne t’i mirëpresim. Çdo para e ardhur për turistët është para e ardhur për shqiptarët, çdo e ardhur përmirëson edukatën tonë, mirëqenien tonë, shëndetin tonë, Tiranën tonë, Vlorën tonë, Thethin tonë, Tropojën tonë, Shqipërinë tonë. Ta trajtojmë këtë vit si një vit investimi. Nuk duhet kursyer në rroga, në higjienë, në mirëqenie, në mikpritje, në gjithçka. Duhet trajtuar si një vit investimi, për ata që do vijnë sivjet, që të vijnë edhe mot. Ne na duhen vizitorët e herës së dytë, herës së tretë. Media ndërkombëtare, me një fuqi të jashtëzakonshme po na i sjell për herë të parë. Për t’i mbajtur dhe rikthyer sërish në Shqipëri e kemi ne në dorë. Shqipëria do të përmbytët nga turistët këtë vit. Nuk ka asnjë shans të ndodhë ndryshe. Por duhet të punojmë këtë vit, edhe për vitin tjetër e shumë të tjerë./dritare.net