Na ndiqni edhe në

Editorial

Gjasme opozita!

Gjasme opozita!

Nga Dritan Hila

Alibeajt dy ditët e fundit i kanë firasur të tjerë kandidatë për kryetarë bashkie. Të vetmit që kanë mbetur në fushë, 7 a 8, të paktën deri në përfundim të shkrimit, janë më tepër për bindje personale sesa për të përfaqësuar siglën e PD.

Por, këta janë figura periferike të nivelit të tretë ose të katërt të përfaqësimit dhe jo nga ata që janë pjesë e grupit parlamentar dhe realisht janë pjesa ideologjike dhe përfaqësuese e fraksionit. Të parët duhen përgëzuar për kurajon e tyre dhe Zoti i ndihmoftë, kurse të dytët nuk janë asgjë më shumë sesa rrogëtarë të borderove të Lindita Nikollës.

Grupi i Alibeajt në vend se të zbriste në fushëbetejë, pasi aty është fati real i grupit që përfaqësojnë, bëjnë si të nevrikosur në parlament. Pikërisht ditën kur vjen Eskobar dhe i takon, duke i kualifikuar si partner të SHBA, këtyre ju ikin dy kandidatë, si për të thënë që investimi amerikan në këtë fraksion politik është i kotë.

Mbase ky ishte diversion i kalkuluar i Berishës, por nuk është detyra e tij të ruajë aksionet e Alibeajt por e Alibeajt të ulë kuotat e Berishës.

E mbase edhe nisur nga ky fakt që Alibeaj nuk po ia del të qullosë gjë, amerikanët i kanë hedhur sytë nga Ilir Meta, nisur edhe nga llogarija racionale se nuk mund ta lënë vendin pa opozitë.

E vërteta është që Alibeaj e ka pasur shumëkënd kundër. Deri edhe kryetari i KQZ në një deklaratë prej pensionistesh që shfaqen në tubimet elektorale të lagjeve dhe shfaqin simpatitë e tyre për shefat e partive, deklaroi simpatinë për Berishën. Por, nuk mund të thuash se pati shtetin kundër. Vula i mbeti Alibeajt. E megjithë këtë ai nuk po ia del të përfaqësojë frymën e opozitës, por bashkë me ndjekësit e tij jep shfaqje në tribunën e kuvendit herë duke diskutuar si i nevrikosur për mediat audiovizive e herë duke treguar barcaleta, tema që mbase zbavisin, por nuk qullosin gjë në politikën reale.

Tamam si peshkopët e Kostandinopojës që diskutonin çfarë seksi kishin ëngjëjt ndërsa jeniçerët e Mehmetit të II-të po ju kërcenin mbi mure për t’ju nxjerrë pas pak zorrët në tokë./dritare.net