Na ndiqni edhe në

Editorial

Çfarë na mungon përveç opozitës!

Çfarë na mungon përveç opozitës!

Nga Dritan Hila

Në vitin 2015, kur Syriza në Greqi sapo kishte marrë mandatin për të nxjerrë nga kriza një vend të zhytur në borxhe dhe në prag të kaosit social, Mario Soares, ish-kryeministër dhe president i Portugalisë i cili bëri tranzicionin e vendit nga diktatura e Salazarit në demokraci dhe njëkohësisht personazh historik i të majtës evropiane, në atë kohë në moshën e nderuar të 90-vjeçëve, jepte një intervistë për italianen Corriere della Sera. Soares e vinte theksin në mungesën e solidaritetit të BE, të harresës së principeve që kishte pësuar ky organizëm që ishte krijuar mbi të gjitha si aleancë e barabartë e kombeve dhe kritikonte të majtën evropiane për mungesën e simpatisë për qeverinë e Syriza-s.

Dy vite më vonë Soares vdiq.

Përveç atyre që veçova më lart, Soares ishte një patriark i së majtës evropiane, themelues i partisë socialiste portugeze, i revolucionit të karafilave që përmbyti diktaturën e Salazarit, i anëtarësimit të Portugalisë në BE. Ishte ndër të fundit politikanë që pasi kryenin një mision për vendin e tyre, tërhiqeshin në fronin e patriarkut për të qenë korrigjues dhe orientues të botës kur ajo humbiste busullën në momente krizash.

Në botë kjo racë politikanësh është në zhdukje.

E citova Soares jo vetëm për intervistën, që edhe pse ka kaluar një dekadë më ka mbetur në mendje, por edhe për faktin se Portugalia ka një popullsi të vogël, vend relativisht i varfër dhe në periferi të BE. Por kjo nuk e ka penguar të nxjerrë udhëheqës të mëdhenj.

Është pikërisht kjo që i mungon vendit tonë. Ne kemi njohur tipa që i ngjiten pushtetit si mastiç këpucari, megjithëse nuk kanë as klas e as tru. Sot ne jemi në momentin kur njëri që ky vend i dha të gjitha postet dhe ofiqet pa bërë 50 vjeç, shkon dhe bën palestër me pantallona terital dhe flet sikur ka ngrënë qofte tek Pazari i Ri, kurse ai që kishte të gjitha shanset të ngjante sadopak me një politikan klasi, vjen vërdallë në tarracë duke folur për revolucione imagjinarë.

Aktualisht vendi nuk ka opozitë dhe ky është një problem i madh. Por nuk ka as pika reference të cilat në këto 33 vite duhet të ishin krijuar, të cilat shpesh herë kanë më vlerë sesa një opozitë institucionale, pasi ato janë pika ankorimi për njerëzit dhe orientimi për politikën. Sot më vlerë do kishte këshilla e një patriarku politik për Ramën, sesa opozita me fishekzjarrë e cila po shkatërron veten dhe institucionin e opozitës. Kurse ajo që duhet të ishte një klasë e re e cila duhet të zëvendësonte atë aktuale, ngjajnë me matrioshkat ruse të dala nga një imitim i Berishës e ca më keq me tipa që e shohin si profesion për të kapur ndonjë lek apo projekt ambasadash./dritare.net