
Dritan Hila: Tradhëtia apo suksesi i Albin Kurtit!
Dritare.net
Një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është pranuar nga të dyja palët. Në rubrikën Komenti i Ditës në Dritare TV, gazetari Dritan Hila tha se kjo marrëveshje nuk sjell një ndryshim të jashtëzakonshëm për dy vendet, ndërsa kryeministri Albin Kurti, me pranimin e pikave, i është bindur vullnetit të amerikanëve.
“Sot është një ditë historike për sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku kemi një nënshkrim të marrëveshjes së përbashkët për njohje reciproke, në fusha të tërthorta por duke përjashtuar njohjen diplomatike. A është një zhvillim i ri? Mendoj që jo! Albin Kurti nuk arriti asgjë më shumë se paraardhësit e tij.
Kosova është krijesë e SHBA dhe e NATO-s. Si e tillë ajo nuk e ka luksin të mos zbatojë kërkesat e tyre. Dhe të tilla ishin kërkesat e ardhura nga SHBA që duhej të arrihet një marrëveshje kuadër, ku një ndër pikat më të nxehta ishte autonomia e komunave serbe. Në një mënyrë apo në një tjetër, Albin Kurti i është bindur vullnetit të amerikanëve.
E kishte të pamundur të vepronte ndryshe por bie retorika e tij nacionaliste. Çfarë ka të veçantë kjo marrëveshje?
Në fakt asgjë që mund të revoltojë nacionalistët ose mund të akuzohet Kurtin për tradhti kombëtare.
Kryesore është që të dyja këto vende, Kosova dhe Serbia e njohin reciprocikisht njëra-tjetrën”, u shpreh Hila në Dritare TV./L.F-dritare.net

















