
Dritan Hila: Çfarë ndryshon këtë radhë në procesin e Gërdecit!
Dritare.net
Disa ditë pasi mori në pyetje Shkëlzen Berishën, SPAK ka bërë një kthesë të fortë në dosjen për tragjedinë e Gërdecit, duke nisur hetimet për akuza të rënda “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”.
Në rubrikën Komenti i Ditës në Dritare TV analisti Dritan Hila tha se hetimi i dosjes së Gërdecit këtë herë do të jetë i plotë dhe do të çojë përballë drejtësisë përgjegjësit e vërtetë, duke theksuar disa nga faktet që e diferencojnë hetimin së fundmi.
“Shteti amerikan e ka bërë gjyqin e vet dhe ka dhënë dënimet e veta, për Gërdecin ndonëse ata persona nuk mbanin peshën më të madhe të asaj tragjedie. Ndërkohë shteti shqiptar nuk e ka bërë një gjë të tillë. Amerika nuk ka frikë t’i hapë petat presidentëve të saj, jo më Sali Berishës dhe Gërdecit. Kështu nuk ka asnjë pengesë amerikane.
Ajo që ndryshon këtë herë me çështjen e Gërdecit, është se kemi një shtysë amerikane për të hetuar këtë dosje. Marrja si e pandehur e Fatmir Mediut, është një tjetër e re, duke u akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit.
Qershia mbi tortë, është thirrja e Shkëlzen Berishës si dëshmitar. Është akuzuar si njeriu që bashkoi fijet dhe bëri Gërdecin, i cili kishte forcën politike të zhbllokonte mekanizmat shtetërore. Ndaj shumë njerëz shpresojnë që do të fillojë të hetohet Gërdeci, dhe mbase që nga ky moment njerëzit do të fillojnë të besojnë te drejtësia, që mund të provojë se i paprekshëm në këtë vend, nuk është më askush”, u shpreh zoti Hila në Dritare TV./L.F-dritare.net

















