Na ndiqni edhe në

Editorial

Dita kur Ilir Meta vdiq!

Dita kur Ilir Meta vdiq!

Nga Dritan Hila

Dje, në një rrugë që ndodhet pikërisht aty ku dikur vjehrra e tij kishte shtëpinë dhe çifti Meta-Kryemadhi filloi jetën bashkëshortore, grupi operacional i policisë, me urdhër të SPAK, i jepte fund karrierës së njeriut që ka pasur poste shtetërore më shumë se çdo shtetar shqiptar. Mënyra e arrestimit ishte fare e palavdishme, duke e tërhequr zvarrë dhe kjo jo për faj të policëve por të njeriut që nuk e kishte kuptuar se ylli i tij kishte perënduar përfundimisht, dhe nuk diti t’i jepte pak klas aktit të tij të fundit publik.

Një gjë është e sigurtë që emri i tij do mbetet në historinë e Shqipërisë, por aspak monumental. Karriera e tij ka të përpjeta e tatëpjeta, duke e mbyllur në fund me rrokullimë.

I ardhur në politikë si fëmija i privilegjuar i të majtëve, shumë shpejt provoi shijen e pushtetit, pa punuar asnjë ditë. Pa eksperiencë administrative apo akademike, por me instinkt politik tipik oriental, ia doli që të ishte kryeministër i tyre, duke e shfrytëzuar pushtetin jo vetëm për të bërë para por edhe për të krijuar klanin e tij politik, pa pyetur për kriteret e promovimit në administratë, ku çdo injorant apo kalama merrte poste drejtuese, mjaft që të ishte besnik i tij, dhe nuk është se nuk ia doli. Në momentin kur u shkëput nga PS, një pjesë e elitës së saj iu bashkuan, bashkë me një pjesë të elektoratit duke e çuar në humbje partinë e Nanos dhe fundin e karrierës së tij.

Në katër vitet kur LSI ishte në opozitë, ajo u shqua për beteja parimore për të arritur kulmin me grevën e urisë së deputetëve të saj, për shkak të ndryshimeve të ligjit zgjedhor. Ky katërvjeçar ishte edhe periudha kur elementë të spikatur të PS që nuk ishin dakord me politikat e Edi Ramës iu bashkuan LSI, e cila po shfaqej si konkurrente ideologjike e PS. Por iluzioni nuk zgjati shumë. Në vitin 2009, që Berisha të qeveriste i duheshin votat e LSI. Me një kthesë 180 gradë, Meta i bashkohet qeverisë, pa vendosur asnjë kusht paraprak parimor, ku korrigjimi i ndryshimeve të vitit 2008, duhet të ishte i panegociueshëm. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Vetë Metës i pëlqente pozicioni dhe nuk donte konkurrentë të tjerë në rolin e kingmakerit, pa e kuptuar se me këtë akt vrau edhe veten dhe boshtin parimor dhe ideologjik të partisë së tij. Me tej e gjitha është histori.

Personalitetet u larguan nga partia e tij; pastaj erdhën filmimet e 21 janarit kur perceptimi publik për korrupsionin e LSI u dokumentuan nga videoja e Dritan Priftit, pastaj vrasjet e 21 janarit dhe cilësimi si “kokëpalarë” i viktimave, duke e bërë grupin që drejtonte nga një parti, në një bandë gjobëvënësish, barrë për çdo aleat të tij. Dhe sot jemi në ditën kur stafi drejtues i PL janë ose njerëz pa emër ose qesharakë. Askush në atë parti nuk është personalitet në një fushë të caktuar apo i nivelit kombëtar. Janë vetëm papagaj që imitojnë fjalorin e Metës, fjalor i tmerrshëm për varfërinë e tij e nga ku natyrisht nuk mund të presësh ide. Tani ai grupim nuk i duhet më as PD-së e cila ndjehet e çliruar nga barra e Ilir Metës që iu ngarkua që në vitin 2009. Në 33 vjet karrierë Meta ia doli të mbijetojë për shkak të intrigave dhe makinacioneve, por pa e kuptuar se ora e tij kishte mbaruar. Kjo iu bë e qartë dje, në 21 tetor 2024, nga një grup policësh, në një shesh pa emër, nën shikimet indiferente të shoferëve, ku asnjë nuk u ndal as për kuriozitet./dritare.net