Na ndiqni edhe në

Editorial

Dita kur Berisha humbi! 

Dita kur Berisha humbi! 

Nga Dritan Hila

Më së fundmi kalvari i dyshimeve ka marrë fund dhe PD-ja ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje.
Se kush do fitojë kjo dihet, por të paktën u sqaruam se në atë parti ka mbetur edhe ndonjë me tru që mendon politikisht dhe ka vetëdije politike.
Nëse ka qenë dikush që ka menduar se nëse i jepnin vulën Berishës atëherë mund të fitonin, i bie që nuk e kanë idenë e forcave në terren. Rama dhe partia e tij vërtet janë të lodhur nga 10 vite pushtet, por nuk ngjan se kanë oreks ta lëshojnë atë. Aq më pak duken të prirë kryetarët e bashkive të lëshojnë pe dhe jo pa qellim në shumicë u rikandiduan nga Rama. Mos t’ju gënjejë mendja se do lëshojnë terren për sevap. Do luftojnë për çdo bashki, përfshirë Shkodrën dhe Tropojën.
Ajo që mbetej enigmë ishte nëse PD-ja zyrtare do të shkonte në konkurrim dhe për fat është vendosur që të ndeshen. Kush ka qenë kundra duket që nuk merr vesh nga politika. Kush mendon se do fitojë, nuk di të numërojë.
Pjesëmarrja e PD në zgjedhje ka vetëm një vlerë simbolike: Moshumbja e një partie historike. Dalja e saj në zgjedhje në kundërshtim me rekomandimet e elifimatrakëve politikë, është lajm i mirë edhe për socialistët. Nëse do t’i linin terren të hapur Berishës, nuk do bënin asgjë më shumë sesa të zgjasnin agoninë. Me Berishën do hanë bar. Puna është që mos hanë bar gjithë demokratët se për shqiptarët as që bëhet fjalë. Ajo që e ka thënë është zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nuk e ka thënë fare me shaka.
Do të përballen me sulme të ndyra nga Berisha, por kjo nuk do të jetë një gjë e re. Askush nuk ka vdekur nga lapërdhitë e tij. Ky do të jetë edhe fundi i këtij modeli si model që nuk të çon në fitore.
Dalja e PD-së zyrtare në zgjedhje së pari nuk shpërdoron besimin e amerikanëve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mospërmendja e opozitës në raportin e DASH=it ishte një sinjal alarmi. Për fat në PD e kanë kuptuar.
Dalja e PD-së në zgjedhje nuk do të thotë fitore as sot as mot. Por nuk lejon që të humbasë fara e opozitarizmit më Shqipëri. Opozita shqiptare do ketë një rrugë të gjatë për t’u rimëkëmbur. Me ikjen e Berishës, ajo që mbetet nga foltorja do të putrifikohet nga sherret për trashëgiminë. Ajo është pjesa e amputuar e PD-së që nuk ka shpresë të ringjallet. Fraksione të reja, grupime, lëvizje, do ta ribëjnë opozitën. Nuk dihet kur kundërshtarët e socialistëve mund të vijnë në pushtet. Por sot më së fundi mësuam që edhe ata e kanë kuptuar që me Berishën nuk do të vinin kurrë./dritare.net