Blinken nuk e paska problem shallin e Sokol Sadushit
Rudina Xhunga
Nga Dritan Hila
Që nga dita që trupa e re e drejtësisë filloi të marrë formë, është ndodhur nën sulmet e opozitës, e cila duhet thënë që nuk është se e votoi në bllok po mos të ishin telefonatat e Donald Lu që i nxori të gjithë për leckash në votim.
Pas kësaj nuk kanë munguar sulmet për delegitimimin e tyre. Më së shumti i ha goditjet SPAK-u, por nuk kanë munguar as ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj Gjykatës së Lartë. I fundit ishte sulmi ndaj Sokol Sadushit, kryetarit të Gjykatës së Lartë, duke u nisur nga një pjesëmarrje e tij në përkujtimin e Brigadës së V-të Sulmuese, si djalë i një prej komandantëve të saj.
Parë në rrafshin personal të Sadushit, të jesh krenar për babanë tënd, i bën nder vetë atij. Brigada e V-të ishte njësia që u themelua me njerëz nga krahina e Labërisë dhe mori pjesë në luftimet më të ashpra, duke e vazhduar marshimin e saj deri në Vishegradin e Bosnjës së sotme.
Të vësh shallin e kuq në ceremoni, shall i cili ishte simbol i njësive të LANÇ-it, është sjellja më simbolike që mund të bëhet dhe nderon çdo pasardhës të atyre që patën kurajë të luftonin për lirinë e vendit, pavarësisht se sot jemi në një periudhë kur gjithfarë pasardhësi bashkëpunëtorësh të pushtuesit dhe agjenturash të huaja e ka për nder që është i tillë. Ne të paktën nuk jemi në fazën që pasardhësit e partizanëve ta kenë për turp që luftuam për lirinë e vendit. Si të tillë kanë qenë aleatë të britanikëve, amerikanëve dhe sovjetikëve.
Natyrisht që Blinkeni e ka ditur se kë takon, e ka ditur se kush po e zbaton reformën e ideuar prej tyre dhe nuk ka asnjë kompleks të takojë fëmijën e një ish-aleati të SHBA-së. Për më tepër Blinken duke qenë hebre, mund të ketë siklet të takojë pinjollët e bashkëpunëtorëve të nazizmit, por jo të atyre që luftuan kundër tij.
Sa për Sokol Sadushin, mund të thuhet që të jesh krenar për origjinën, veçse i bën nder. Siç duket e paskan për fis që ta pastrojnë vendin nga plehrat./dritare.net