Na ndiqni edhe në

Editorial

Big Brother si shfryrje e kolapsit social!

Big Brother si shfryrje e kolapsit social!

Nga Dritan Hila

Sa herë fillon kjo reality show, do fillojnë edhe diskutimet dhe ndarja në kampe. Njëra palë e quan nivel të ulët ndjekjen e tij kurse të tjerët mëse të pranueshme. Konkurrentët e quajnë lojë megjithëse vetëm lojë nuk është pasi lufta për çmimin final është e egër. Dhe pse nuk është lojë ka edhe vëmendjen e publikut. Sot, politika është bërë lojë. PS duket se nuk ka sy për të lënë pushtetin edhe për nja dhjetë vite sepse nuk do por edhe nëse do, nuk di se ku. Opozita do kohë të marrë veten, por në vend që të lëpijë plagët, sillet sikur është në ditën e saj më të mirë dhe ka filluar i lë postet trashëgimi duke e mbyllur konkurrencën dhe daljen e talenteve të reja. Madje ka bërë Big Brotherin e saj në rrugën Mustafa Matohiti.

Ndërkohë jeta artistike në Tiranë është përqendruar vetëm në duart e Teatrit Kombëtar dhe atij të Operës dhe Baletit, të cilët sado të përpiqen nuk mund të mbajnë gjallë jetën artistike. Provinca është kur thërret kiametin. Më 33 vite u shkatërruan trupa profesioniste të teatrit dhe estradës. Shkodra që dikur konkurronte Tiranën, tashmë nuk ka asgjë. Fieri, Vlora, Korça, sa për të cituar disa, nuk ekzistojnë. E vetmja gjë që na kujton ekzistencën e atyre institucioneve është kur kujtohet apo lajmërohet ikja nga jeta e artistëve që edhe ende iu kujtohen batutat dhe rolet.

Kinematë nuk janë më, përjashto dy në Tiranë. Sporti është katandisur në ca ekipe futbolli ku janë pretendentë për titull skuadra të disa qendrave të banuara që dikur njiheshin vetëm si stacione ku ndalonte treni. Kurse disiplinat e tjera nuk kanë lidhje me sportet realisht profesionale. Ata që marrin paratë nga qeveria me pretendimin se do t’i zhvillojnë, i devijojnë për punët e tyre në SHBA ku kanë familjet.

Nëse këtë genoncid kulturor do ta kishte bërë një pushtues, ne do të ishim çuar në luftë. Por meqë ia kemi bërë vetes, atëherë nuk na mbetet tjetër vetëm të shikojmë BB dhe komentojmë në rrjetet sociale. Të paktën aty njerëzit janë të vërtetë./dritare.net