Nga Dritan Hila
Deklarata e Blinken se “Takova të gjithë ata që duhej”, është një shumëzim me zero për opozitën. Kush e kuptoi, më mirë për të. Kush nuk e kuptoi, le të vazhdojë pelegrinazhet poshtë penxheres. Për SHBA-të, kjo opozitë nuk vlen më as për pjesë këmbimi. Tashmë jo vetëm ata që i kanë hipur karrocës së shpartalluar të Berishës, por as satelitë të tij, nuk konsiderohen nga amerikanët si aset opozitar.
Prova e forcës që duan të bëjnë ndjekësit e Berishës në 20 shkurt, ngjan me ato të Noriegës dhe batalionet popullore që krijoi ai në Panama, për t’i bërë karshillëk amerikanëve. Fundi dihet, i matnin kokën me metër në burg, në Florida. Jo se do shohim Berishën në atë pozicion, as në Florida dhe nuk besoj as në Reç, por kjo përqasje shërben thjesht si krahasim i vlerës së tyre politike për SHBA.
Rama tashmë ai nuk e ka garën me një opozitë pasi ajo nuk ekziston, por me standardet që kërkon SHBA përsa i takon korrupsionit dhe demokracisë. Tani e mbrapa Rama do ta ketë pikërisht garën me këta tregues, dhe opozita reale do të jetë ky standard amerikan. Fatkeqësisht Shqipëria nuk ishte e vetëmjaftueshme ta zgjidhte me mjete politike bllokimin e saj, nuk qe në gjendje të bënte një zhvillim normal dhe të krijonte dy pole politike, ndaj u desh edhe ndërhyrja e miqve. Pas kësaj, përveçse kryeministër i zgjedhur, Rama praktikisht do jetë një regjent, derisa të formohet një konkurrent opozitar në gjendje ta sfidojë dhe rifillojë një garë mes dy alternativave. Amerikanët vetë janë në kërkim të një të tilli, por problemi është që toka ende është shterpë me ndonjë element të tillë e për më tepër opozita nuk është diçka që trapiantohet në një vend. Më e vështirë bëhet kjo pasi gjysmë fusha opozitare ka ose figura të djegura, ose mitomanë që kërkojnë të hyjnë në fushë. Të gjithë jashtë standardeve./dritare.net