
Arrestimet nuk janë zbavitje për turmat, por fate njerëzore
Dritare.net
Nga Dritan Hila
Dikur, në kohën e diktaturës, nëse do arrestohej një grup i cili kishte më shumë se 3 persona, duhej të merrte miratimin e sekretarit të parë të partisë në rreth. Nëse pastaj numri kalonte në 6-7 e përpjetë, atëherë duhej firma e Sekretarit të Parë të PPSH-së. Të kuptohemi që kjo ishte për rastet kur nuk kishte të quajtura “grupe armiqësore në parti” pasi kjo ishte tjetër histori.
Ky ishte një tregues ku edhe një diktaturë tregon kujdes për të mos ngjallur tensione sociale të panevojshme të cilat kanë kosto. Pasi edhe diktaturat kanë nevojë për konsensus, lere pastaj një demokraci.
Së fundmi SPAK-u ka bërë një goditje spektakolare në Universitetin Bujqësor të Kamzës, duke futur 5 në arrest me burg, 9 me arrest shtëpie dhe 10 me detyrim paraqitjeje.
Unë nuk e di se çfarë abuzimesh kanë bërë këta, por di që deri para dy vitesh ky institucion ishte në prag të mbylljes dhe vetëm ndërhyrja e Edi Ramës e shpëtoi në minutat e fundit.
Di të them qe kaq arrestime mund të justifikohen po të shkatërrosh kartelin e Sinalohas apo Ndrangetën. Por të shfarosësh një institucion të tërë me një goditje të stilit meksikan, është e ekzagjeruar. Jo më kot e përmenda edhe faktin e mbylljes së tij, si një argument të tërthortë që sido që të jetë problemi, fondet për të cilat bëhet fjalë, nuk janë të atilla që shkatërrojnë ekonominë e një vendi. Se po të jetë për grabitje, ka bilbila ky vend që e meritojnë sa herë më tepër arrestimin, por që bilbilosin çdo ditë në media e zyra.
Arrestimet natyrisht që janë një masë e parashikuar për moslargimin e të dyshuarit, por edhe kjo ha diskutim. Arratia kërkon para, kërkon rrjet që të mbulojë dhe strehojë, kërkon edhe tipin që të jesh i prerë për një jetë në arrati. Mund të jenë të tillë profesorë apo nëpunës universitarë? Vështirë. Kanë vjedhur aq shumë? Prapë e vështirë.
Për më tepër prokurorët dhe gjykatësit kur japin masa arresti duhet të kenë parasysh se jo çdo njeri ka prerje kriminale, sikurse burgu është një eksperiencë e vështirë që shumë pak e përballojnë. Një njeri i zakonshëm del me trauma që andej, trauma që vështirë t’i rikuperojë më pas. Njerëzit e zakonshëm nuk përballojnë as bullizmin e rrjetit, jo më pastaj bullizmin e shtetit dhe damkën që të mbetet në shoqëri si jona, ku edhe po dole i pafajshëm, ta ngjisin damkën si pehlivan që ke vjedhur, por paguajte dhe dole jashtë. Të arrestuarit nuk janë punë përqindjesh dhe statistike, por fate njerëzore. Kaq gjë duhet ta kenë parasysh në SPAK kur lëshojnë urdhër arreste dhe në GJKKO kur hedhin firmat./dritare.net

















