Na ndiqni edhe në

Editorial

Ajo që nuk pamë në protestë!

Ajo që nuk pamë në protestë!

Nga Dritan Hila

Mbetej në mendje një sekuencë e ecjes së Berishës pasi mbaroi para kryeministrisë dhe shkonte drejt parlamentit: Në krah të tij ishin enturazhi i ri i PD. Nuk do shumë mund të kuptohet që hiq Flamur Nokën, deri edhe mimika e gjithë të tjerëve tregonte se janë të gatshëm të presin ikjen fizike të Berishës. Ndaj bëjnë atë që ai do, vetëm që të jenë sa më pranë fronit kur ai të mbetet bosh.

Ajo që u pa ishte një Berishë i lodhur fizikisht më shumë se çdo herë. Shikohej në virozën që kishte dhe në ngadalësimin e artikulimit. Për t’u pasur zili për moshën por jo për pozicionin politik që ka. Sa për idetë, ka mbetur gjithmonë ai i vitit ‘91. Ide të cilat tashmë kanë vetëm një rezultat: Prodhimin e të ngjashmëve të tij, por që ashtu si matrioshkat ruse, janë gjithnjë e më të vegjël. E asnjeri nuk i afrohet as Shaban Memisë e as Pal Dajçit të dikurshëm. E shumta ngjajnë me fëmijë të përkëdhelur që zihen me policin e rrugores. Sikurse ndjekësit nuk janë më ata të parët. Përndryshe do të kishte hyrë qoftë edhe për 5 minuta në godinën nga doli në 2013-ën dhe të cilën dikur mburrej se e merrte me demokratët e Mamurrasit.

Për zhgënjimin e madh të pretendentëve të fronit, ai nuk ka ndërmend t’ia lerë asnjërit, pasi asnjë prej tyre nuk ka besimin e plotë të tij. Do ia lërë familjes. Por edhe kjo vetëm sa do ti japë kohë trashëgimtarëve të tij, por jo vazhdimësi. As në sisteme diktatoriale kalimi nga babai tek fëmija, nuk funksionon. Lere pastaj në një treg të hapur konkurrencë si ai shqiptar. Thjesht do zgjasë agoninë e një partie, ku fëmijët do përpiqen të ruajnë krijesën kurse pretendentët ta marrin për vete, e në mos mundshin ta marrin, do ta shqyejnë.

Fati i kësaj ndeshjeje është i vulosur dhe Rama ka asetin më të madh Berishën. Është një portier i plakur, e ndaj nuk është faji i Ramës që shënon sa mundet, duke e shndërruar një ndeshje futbolli me rezultate basketbolli./dritare.net