Afera e inceneratorëve dhe skandali i TAP sa 50 inceneratorë!
Dritare.net
Nga Dritan Hila
Afera e TAP nuk është një aferë e lehtë për t’u hetuar.
Është një skandal nga ato që të ikën koka pasi lëvizin miliarda. Mjaft të mendosh që në 50 vite, aq sa është koha e amortizimit të një investimi duhet të paguante 5 miliardë dollarë taksë tranziti, kuptohet për çfarë bëhet fjalë. Por duke qenë se prokurorët e këtij mekanizmi mbrohen nga ligji më shumë sesa ne gazetarët që lëvizim çdo ditë me duar në xhepa, e megjithatë e kemi hetuar sa kemi mundur, është e pritshme që SPAK të lëvizë nga vendi.
TAP është një çështje përtej asaj që mund të quhet paaftësi pasi ka kaluar nëpër disa duar negociatorësh ku në fillim një pjesë e tyre e kanë kërkuar taksën e tranzitit, argument që më pas është zhdukur nga agjenda e negocimit. Ndaj si e tillë kërkon të dënohen përgjegjësit jo për injorancën e tyre, por për shpërdorim në kurriz të publikut. Hetimi i saj fillon që nga hetimi dhe krahasimi i vendeve të ngjashme me ne dhe jo me pelivanllëqet që ka bërë Berisha, Meta dhe vartësit e tyre.
E mira është që SPAK mos të marrë si ekspertë brokera nafte, persona me konflikt interesi dhe dëshmitarë të ofruar nga të akuzuarit, por njerëz seriozë. Dritare TV ka marrë si dëshmitarë ekspertë shqiptarë që kanë dalë mbi interesin e tyre dhe që nuk kishin asnjë nevojë që të hapnin këtë çështje, përtej patriotizmit të tyre.
E mira është që pyetjet që do të ngrihen nga akuza mos të jenë të formuluara nga Sali Berisha apo drejtoria juridike e TAP.
Investigimi ynë ka nxjerrë në pah se pala shqiptare në fund të bisedimeve ka shkuar aty me zero kërkesa për taksë tranziti. Kjo nuk do të thotë që TAP nuk ka paguar gjobë dhe nuk vazhdon ta paguajë. Por këto pritet t’i nxjerrë hetimi se në cilat xhepa shkon paraja.
Në këtë kuadër hetimesh duhet të shikohet edhe pse termocentrali i Fierit, i cili punonte me gaz dhe plotësisht funksional, u çua për skrap pikërisht kur do fillonte ndërtimi i TAP.
Në çdo vend normal demokratik ky skandal do ta kishte detyruar prokurorinë, qenin roje të interesave të shtetit pra publikut, të ngrinte një task forcë e cila duhet t’i nxirrte ujin e zi çështjes.
Afera e TAP është një aferë e krahasueshme me ato që përmbysin klasat politike. Gjithashtu është një aferë që do t’i jepte përgjigje gjithë akuzave për paaftësi apo mefshtësi të SPAK.
E meqë ra fjala, prokurori i përgjithshëm i cili ka mbiemrin Çela dhe nuk i kujtohet emri, mbahet mend vetëm për një deklaratë që krimi është përqendruar në Përmet. Tani, nëse ka një fije më tepër përgjegjësi sesa të ndajë tollonat e karburantit të prokurorëve apo të firmosë borderotë, duhet të bëjë një prononcim edhe për këtë aferë edhe për faktin se ka një strukturë 10 herë më të madhe sesa SPAK./dritare.net