Na ndiqni edhe në

Editorial

A do shkaktojnë prapë serbët, luftë botërore! 

A do shkaktojnë prapë serbët, luftë botërore! 

Nga Dritan Hila
Kur Gavrilo Princip shkrepte revolen në Sarajevë, askush nuk e mendonte që bota do hynte në luftë për një shtet barinjsh të mbufatur me ide nacionaliste në malet e Ballkanit. Për më tepër kur mbretërit dhe perandorët e fuqive që më pas u masakruan në llogoret e luftës, ishin kushërinj.
Në fakt ishte diçka përtej farefisnisë: Interesa financiare dhe gjeopolitike ishin ndërthurur poshtë emrave të shndritshëm.
Tani bota është pak më e komplikuar dhe në lojë janë interesat e shumë faktorëve.
Ashtu si atëherë, një kobure ka filluar të mbushet në Ballkan. Ketë herë jo në Sarajevë, por në Mitrovicë. Natyrisht që nuk ka më një princ austriak për të vrarë, por shkaku është po aq i madh sa jeta e një princi. Pesëdhjetë mijë serbë në veri të Kosovës kanë futur Serbinë dhe Kosovën në një qorrsokak. Natyrisht që e bëjnë me urdhër nga Beogradi.
Vetë Beogradi është i ngërthyer në një sundim të Aleksandër Vuçiçit, i zhytur në një qeverisje të korruptuar dhe kriminalizuar. Por kjo nuk është një gjë e re në Beogradin e dyzet viteve të fundit ku politika, krimi dhe ekonomia bashkëjetojnë e bashkëveprojnë.
E reja është që Putinit i duhet një front i dytë në Evropë. I ngecur në baltat e Ukrainës, ka nevojë për hapërdarjen e vëmendjes dhe forcave të Perëndimit. Dhe për këtë bën presion mbi Vuçiçin, presione të cilat nuk janë aspak për t’u marrë lehtë pasi Rusia ka në Serbi një dispozitiv të madh inteligjence dhe ushtarake.
Ndërkohë Albin Kurti ka provokuar serbët duke dashur të vendosë kryetarët e zgjedhur të tij në komunat me shumicë serbe. Disa thonë që është e drejta kushtetuese e tij. Në fakt ajo që bën Kurti ka si justifikim shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në gjithë republikën. Enklavat serbe janë hiç më pak se një burim destabiliteti, për më shumë që as duan t’ia dinë për qeverinë e Kosovës, por vetëm për urdhrat e Beogradit. Në këtë situatë që është, Kosova mund të quhet territor, por jo shtet. Dhe Kurti ka menduar të hedhë zaret. Vetëm se kjo e gjitha ka një problem: A është Kurti në unison me amerikanet? Nëse jo me Departamentin e Shtetit, a është me agjencitë e inteligjencës?
Nëse i referohemi historisë, në vitet ‘97-‘98, Departamenti i Shtetit e klasifikonte UÇK-në si organizatë terroriste. Ndërkohë CIA kishte tjetër mendim. Në Shtëpinë e Bardhë fitoi varianti i CIA-s dhe përfundimi dihet.
Sot Ballkani ka dy shtete ku pakica serbe shërben si eksploziv me plasje të vonuar për ambiciet ekspansioniste të Beogradit. Janë rezultat i zgjidhjeve të ngutura të kompromisit të viteve ‘95-’99. Por nëse Bosnja është një mishmash, Kosova është një rast më ndryshe sa i takon uniformitetit të popullsisë. Janë dy milionë shqiptarë me pesëdhjetë mijë serb në terren, të cilët nuk mund të kenë të njëjtat të drejta si Republika Srpska në Bosnje.
Dhe duke ardhur në iniciativën e Kurtit, enigma është nëse një nga agjencitë e fuqishme të Uashingtonit (Evropa nuk peshon fare në Kosovë), i ka dhënë viston të vendosë nën kontroll Kosovën dhe a jemi dëshmitarë të një plani që synon ngushtimin e Serbisë e cila me rolin e dyfishtë, e ka lodhur durimin amerikan?
Mbase ka miratimin e CIA-s ose atë të heshtur të DASH, pavarësisht deklaratës së Blinken, pasi shumë fjalë janë edhe blof.
Nëse po, dhe mbase e ka, derisa thotë që kemi miratimin e aleatëve, atëherë është në rrugën e duhur. Në të kundërtën, po e merr në qafë Kosovën./dritare.net