
Dielli i Shqipërisë dhe vula e nënshtrimit
Dritare.net

Kjo nuk është as Hanifja nga Bursa, as Fatma nga Izmiri, por Svea, simbol kombëtar i
Suedisë që mbulon me flamur një ushtar të Mbretit Karl XII të rënë në luftë. Pra çdo shtet e çdo popull ka heronjt e simbolet e veta dhe s’ka asnjë arsye që të importojë heronj të huaj e aq më pak t’u ngrejë momumente që s’u takojnë. Ndërkohë, që absurdi ka kohë që përpiqet t’i imponohet si normalitet shoqërisë Shqiptare, kjo edhe dihet, por që absurdit t’i ngrihej një monument midis Tiranës përveç se e papranueshme është edhe e neveritshme. Historia jonë, të vetmet pika ku preket me historinë e Turqisë ka pushtimin Otoman, që është padyshim kthesa më destruktive që ka marrë populli ynë në jetën e vet. E megjithatë, pushteti në Shqipëri dje vendosi të qerasë autoritaristin Erdogan me një monument krejt idiot për të rënët e grushtit të shtetit të para tre vjetëve në Turqi.
Një ironi e madhe e kësaj ngjarje është fakti se kur “Sulltani i Turqisë” takohet me drejtuesit e shtetit Shqiptar të dyja palët nën ritmet e një simfonie hipokrite e shpallin njëri
tjetrin shtet mik, por miqësia që bazohet në qoka dhe imponime nuk është më raport miqësie, por marrëdhënie varësie dhe diçka të tillë Shqipëria s’mund dhe s’duhet t’a ketë me askënd.
Në Tiranë mund të ishte vendosur një monument për të vrarët e periudhës së komunizmit si kujtesë për një kohë që s’duhet të kthehet: një monument kushtuar Gjergj Fishtës, Avni
Rustemit, Kolë Idromenos apo Dritëro Agollit, por kurrësesi ajo vulë nënshtrimi që u vendos dje.
Fundja, dielli i Shqipërisë lind vetëm nga perëndimi dhe dinjiteti i Shqiptarëve s’mund
të shkelet nga tekat e asnjë diktatori./dritare.net

















