
Dëmtuan pronat publike, në gjykatë 9 protestuesit e dhjetorit 2015
Dritare.net

Shtetasve Drini Zaimaj, Nexhemedin Shehu, Artan Kaci, Besim Vladi, Ylli Muça, Ervis Koci, Aurel Filaj, Xhuljan Cala e Suzana Dimushi u janë njoftuar akuzat nga prokurori i çështjes, i cili më pas ka dërguar dosjen në gjykatë.
Në kërkesën për gjykim theksohet se personat e akuzuar, kanë thyer xhamat e disa institucioneve përfshi edhe Ministrinë e Brendshme dhe i kanë vënë flakën bunkerit që po ndërtohej në atë kohë pranë dikasterit të drejtuar nga ministri Saimir Tahiri.
Prokuroria thekson se referimi i çështjes është bërë nga Policia e Shtetit, e cila ka dorëzuar edhe filmime të fshehta të bëra nga policia gjatë protestës nga pamjet e të cilave janë identifikuar edhe 9 personat e pandehur.
Nga ana tjetër theksohet se si prova janë përdorur edhe pamje të marra nga televizionet dhe këqyrja e vendeve të ngjarjeve ku kanë ndodhur episodet e dëmtimit të “pronës publike”.
Prokuroria përmend se në aktet për të cilat akuzohen 9 personat kanë marrë pjesë edhe shtetas tjerë që për shkak të cilësisë së pamjeve apo pozicionit në të cilin kanë qenë këta shtetas nuk ka qenë e mundur të identifikohen.
Ngjarjet për të cilat flet akuza ndaj 9 personave ndodhën në të njëjtën protestë për të cilën Bashkia Tiranë gjobiti PD-në me 16 milionë lekë për dëmet e shkaktuara në qytet, gjobë e cila në shumën më të madhe të saj është rrëzuar nga gjykata administrative pak javë më parë.

















