DASH njofton ratifikimin e marrëveshjes me Shqipërinë për huanë e 302 mln $!
Dritare.net

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar zyrtarisht ratiifkimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh ndaj Shqipërisë për investimet në mbrojtje. Në njoftim thuhet se kjo hua do të mbështesë Shqipërinë për përmbushjen e shpenzimit të 5% të PBB për mbrojtjen deri në 2035.
Gjithashtu, sipas DASH, huaja “do të forcojë aftësinë e Europës për të udhëhequr vetë në fushën e mbrojtjes.”
“Sot, Shtetet e Bashkuara janë krenare të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një huaje të re prej 302 milionë dollarësh në kuadër të Financimit Ushtarak të Huaj (FMF), e cila do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së angazhimit të Mbrojtjes të Hagës, që parashikon shpenzimin e 5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035.
Huaja FMF do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë duke mbështetur blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane dhe do të forcojë aftësinë e Evropës për të udhëhequr vetë në fushën e mbrojtjes.
Si aleat i NATO-s, Shqipëria është rreshtuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, thotë njoftimi.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, është shprehur në një reagim se kjo marrëveshje është votë besimi strategjike e SHBA ndaj Shqipërisë dhe hap historik në modernizimin e mbrojtjes. Sipas tij, mbështetja do ta përshpejtojë modernizimin, do të rrisë gatishmërinë dhe forcojë kontributin e Shqipërisë.
“Departamenti i Shtetit njofton zyrtarisht ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë prej 302 milionë dollarë në Kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF).
Votë besimi strategjike e SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare.
Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë.
Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, shkruan Nufi./dritare.net