Ç’më panë sytë në Palma de Majorka!

Nga Fjorda Llukmani

Udhëtimi që do t’ju përshkruaj është më i bukuri i pesë ditëve që qëndrova në Palma de Majorka. Gjatë gjithë rrugëtimit vetëm komentoja e habitur “Ua, ua, ua…”

Pasi hëngra mëngjesin u nisëm përsëri me makinë në destinacionin më të famshëm të ishullit. Çdo cep është i arrirë për maksimumi një orë e gjysmë me makinë.

Mua më shijon edhe të qëndruarit në makinë duke dëgjuar muzikë. Biles kam playlista specifike për tripe të tilla. Shpeshherë ndaloj të shkrep ndonjë foto aty ku më pëlqen.

Destinacioni i ditës quhej Sa Calobra.

Ky fshat përfshinte 3 plazhe shumë simpatike dhe një nga rrugët më të bukura në botë. Gjatë ngjitjes së malit shikoje fshatra tipike spanjolle. Në disa vende miksimet e majave të maleve që binin thikë në lëndina plot pemë.

Çdo kthesë fshihte një pamje të bukur për ta shijuar. Kjo rrugë përshkruhej masivisht nga çiklistë. Më bënte përshtypje sesi makinat nuk i parakalonin kurrë ata me biçikleta, vetëm në rastet kur këta të fundit i hapnin rrugën vetë.

Theksoj që ngjitja dhe zbritja e kësaj rruge është plot kthesa shumë të lakuara. Sa Calobra në spanjisht do të thotë gjarpër.

Kur arritëm pikën më të lartë të malit e kuptova pse kjo rrugës sugjerohej të përshkohej nga të gjithë. Sa Calobra dukej si makaronat kur i hedh në pjatë ku përfshin një kthesë të vecantë 360 gradë që në botën e inxhinjerave quhet e veçanta dhe e rrezikshme.

Nus de sa Calobra është një prej kthesave më të famshme në botë që kalon nën veten e saj në formë nënkalimi. Rruga u projektua në vitin 1930 për të shmangur tunelet e për të qenë e vizituar nga turistët falë bukurisë së saj. Nga maja shikoja çiklistë që hipnin e zbrisnin me në sfond detin.

Le të themi biçim Llogaraje, por me 800 kthesa më shumë ama. Për të apasionuarit pas makinave, mbase e keni parë Sa Calobrën në kopertinat e revistave automobilistike.

Në zbritje për në plazh më mbeti në mendje një e çarë shkëmbi që kalonin makinat. S’kishte semafor, por vetëm tabelë që të kuptoje që rruga është një kalimshe. Vrisja mendjen si merren vesh këta dreqër për të kaluar kur është piku i sezonit? M’u kujtua semafori i famshëm i Vunoit që bëhet nami në verë sepse ndonjëri futet me të kuqe e bëhet lëmsh i madh. Eh Shqipëria ime sa defekte të vogla ka në sjellje…

Pas 20 minutave nëpër kthesa arrijmë në dy plazhe që më lanë pa fjalë. Përsëri dhe këtu duhet të parkoje makinën e të ecësh deri në destinacion.

Cala Sa Calobra është plazhi i parë. Në përgjithësi gjiret më të bukura të Majorkës janë të vegjël me pak mundësi për t’u shtrirë e rehatuar. Deti është kristal i pastër dhe s’para ka ndërtime vërdallë. Këtu mund të numëroje maksimumi 3 resorante dhe një dyqan.

LEXO DHE :  Vendi pushtohet nga shiu, ja si do të jetë moti sot!

Në të majtë të gjirit shikon të parkuara varka në portin i Sa Calobrës. Një tabelë të ftonte për të vizituar Torrent de Pareis. Pa frikë mund të them se rruga për aty është më e veçanta që kam parë ndonjëherë.

Ndodhesha në plazhet më të vizituara të ishullit. Shëtitorja ishte e shtruar me stole anash për të ndaluar që të shijosh pamjen. Kur një moment shoh një tunel të ngushtë me drita.

Të gjithë futeshin e dilnin nga aty për të parë plazhin e Torrent de Pareis. Siç duket nuk kishte rrugë tjetër përvecse nga deti dhe kjo e bëri të vecantë rrugëtimin. U futëm në tunel i cili nga brenda të drejtonte nëpërmjet neoneve në tokë, që mos t’i bije shkëmbit me kokë. Në të majtën tonë kishin hapur disa dritare të vogla që tëshikoje gjirin. Ç’t’ju them mo, pamje spektakolare.

Lere pastaj plazhi tjetër histori. Drita në fund të tunelit ma shtonte kuriozitetin e gati sa s’vrapova për ta arritur sa më shpejt. Një kanion gjigand m’u shfaq para syve, me dalje në det diku tek 30 metra.

Dy shkëmbinj dukeshin si porta që të conin tek deti. Pastaj lugina hapej dhe bëhej më e madhe, e shkonte deri në mes të malit që zbritëm. Pak a shumë si Gjipëja le të themi, vetëm se me dalje të vogël në det.

Duke qenë se është e mbuluar nga kodra e shkëmbinj në të gjitha anët, vështirë të gjesh një cep me diell. Veç të shikoje si grumbulloheshin njerëzit në ato pak vende me diell. Nuk u futa për t’u larë pasi ishte i ftohtë. Më mjaftonte të shijoja atë lloj natyre që se kisha parë ndonjëherë.

Pas dy ditësh nëpër gjire ku s’para ke mundësi të shtrihesh për të marrë rreze, pranë Torrent de Pareis në Google Maps na doli një plazh më i madh. “Hajde shyqyr të shtrihemi e të na rrijë prapanica rehat.”-thashë me vete.

Cala Tuent është 10 minuta larg destinacionit të fundit. Më pëlqeu që në mes të gjirit ndodhej një pemë e madhe, që bënte goxha hije.

Mazalla se e pret njeri pemën o shok, është pjesë e natyrës. Këtu mbizotëronin leshterikët, por ama gjetëm rehat gjithë pasditen.

Diku afër perëndimit u ngjitëm nëpër shkëmbinj që të conin deri në kepin e gjirit. Aventurë pa e ditur se ç’të pret, por unë i kam gjithmonë atletet e hiking me vete.

Në kthim shijuam perëndimin mbi majën e malit të famshëm me kthesa.

Më dukej sikur kisha 1 javë në Majorka sepse për dy ditë pashë gati 10 vende të ndryshme. Shkoja nga shkoja e mendoja: “Po si s’më rri byça në një vend?”/dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.