Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Burgjet e komunizmit në fotot e jashtëzakonshme të Kostandin Pogës

Burgjet e komunizmit në fotot e jashtëzakonshme të Kostandin
Nga Dritare.net

Pas viteve 1990 shqiptarët zhdukën çdo gjë të ndërtuar në periudhën e komunizmit. Kështu ndodhi edhe me burgjet, vendet e torturave të mëdha. Vetëm ata që iu kanë mbijetuar këtyre burgjeve, e dinë çdo të thotë të jesh aty, ku as dielli nuk hyn. Ndërsa për të lindurit e pas viteve ‘90, të vetmet dëshmi janë fjalët dhe fotot.

Kostandin Poga është i pari fotograf që arriti t’i fotografojë, ende pa u prishur. Ai punonte si operator dhe reporter në revistën e Ministrisë së Brendshme dhe përveçse fotografonte takimet dhe zhvillimet e përditshme politike, realizonte edhe ekspozita.

“Çdo vit në muajin maj realizoja një ekspozitë, në ditën e themelimit të Policisë. Me ardhjen e demokracisë, u vendos që dita e themelimit të ishte 13 janari, pasi Policia është krijuar më13 janar 1913. Duke qenë se burgjet ishin nën varësinë e Ministrisë së Brendshme, vendosa të realizoj një ekspozitë me foto nga burgjet komuniste”.

Iu deshën 6 muaj punë, për të realizuar më 13 janar të 1994 në Muzeun Kombëtar, ekspozitën me foto “Muzeu i memories”. Ai shkoi në burgun e Burrelit, të Gjirokastrës, të Tepelenës, Lushnjës dhe Tiranës. Me vete mori si udhërrëfyes, ish operatorin e Kinustudios Dhimitër Lala, i cili kishte vuajtur dënimin në burgun Spaçit. Lala e njihte më mirë burgun, dhomat dhe çfarë ndodhte me të burgosurit.

“Nuk do ta harroj kurrë një moment në burgun e Spaçit. Kur shkuam për herë të parë me Dhimitrin, ai shkoi para meje në dhomën ku kishte qenë i burgosur. E gjeta të ulur në dysheme dhe po qante. Nuk e kapa dot këtë moment me aparat, por e fotografova në memorien time”.

Poga tregon se në atë kohë burgjet ishin boshatisur. Njerëzit kishin filluar të vidhnin materialet me të cilat ishin ndërtuar, kishin marrë dyert dhe hekurat. Ai kapi disa momente nga dhomat e të burgosurve, që vetëm dhoma nuk mund të quheshin. Pa krevat, pa dritare, dhe të pandriçuara. Vetëm me një vrimë në mur, ku as ajri nuk arrinte të qarkullonte. Ai tregon se Burgu Qafë Bari ishte më i tmerrshmi.

“Burgu Qafë Bari ishte në mes të maleve. Ishte vendosur në një gropë, ku dielli mund të binte vetëm një orë në ditë. Kështu që njerëzit ishin të zhytur në terr. Njëlloj si të dilnin jashtë e të rrinin brenda, diellin nuk e shihnin dot me sy”.

Ndërsa në kampin e punës në Savra të Lushnjës ai fotografoi të rinj dhe pleq. Mësoi historitë e tyre nga më të dhimbshmet. Kishte nga ata që ishin braktisur në mëshirë të fatit, ku fëmijët iu ishin larguar jashtë Shqipërisë, e ku asnjeri nuk iu vinte për vizitë.

Fotografitë nuk janë vetëm dëshmi. Ato janë edhe art. Falë profesionalizmit të Pogës dhe me ndihmën e kuratorit Besim Fusha, një ndër më të njohurit në atë periudhë, këto fotografi përcjellin mesazhe të thella në çdo kohë ë të shihen. Janë imazhe që nuk të shqiten nga mendja e që sjellin deri sot mjerimin e një kohe tjetër, po aq të dhimbshme sa e bardha dhe e zeza që mbajnë.

“Ato janë ngjyra për mua. Kam zgjedhur vetë që të gjitha fotografitë t’i lë bardh e zi. Vetëm ashtu flasin më fortë e thonë atë nuk mund të thuhet me fjalë.”

Për shkak të vlerës historike dhe të vendit ku u zhvillua ekspozita, fotot i mbetën Muzeut Kombëtar. Atëherë ato u vizituan nga autoritet e kohës dhe morën vlerësimet më të larta. Por a janë ende aty?

“Këto foto janë përdorur në disa vende, por askush nuk thotë se kush i ka bërë. Edhe Bollino që ka ndërtuar me to, BunkArtet e tij, nuk përmend autor asgjëkund,”- thotë Poga.

Dritare.net po i sjell disa prej tyre në galerinë e mëposhtme të fotove. Aty ku jeta zhvillohej mes telave me gjemba, tytës së armëve, punës në miniera. Ato portrete njerëzish, fytyra fëmijësh thonë më shumë se çdo gjë tjetër. Nga skutat më të thella e kohët më të errëta, deri në momentin që njerëzit prekën lirinë. Ose të paktën kujtuan se e gjetën atë./Dritare.net