Presion nga SHBA, rezistencë nga Europa. E ardhmja e Ukrainës në diskutim
Dritare.net

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të takojë të hënën në Londër liderë kyç europianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, për të diskutuar negociatat e paqes dhe për të garantuar që çdo marrëveshje të pengojë një sulm të ardhshëm nga Rusia.
Takimi vjen pas disa ditësh bisedimesh në SHBA, ku negociatori i ri ukrainas, Rustem Umerov, kërkoi ndryshime në një draft-marrëveshje që shihet si e favorshme për Rusinë. Megjithëse SHBA dhe Ukraina thanë se pati përparim, Donald Trump kritikoi Zelenskyn duke thënë se ai ende nuk e ka lexuar propozimin e fundit.
Një nga pikat më të ndjeshme janë lëshimet territoriale në lindje të Ukrainës dhe statusi i centralit bërthamor të Zaporizhzhias, i cili aktualisht është nën kontroll rus. Ndërkohë, Britania e Madhe dhe Franca po udhëheqin krijimin e një “koalicioni të vullnetit” për mbështetje të ardhshme ushtarake ndaj Ukrainës, megjithëse disa shtete europiane janë kundër dërgimit të trupave në terren.
Rusia vazhdon të qëndrojë e palëkundur në kërkesat e saj, duke përjashtuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe duke synuar kontroll të plotë mbi Donetsk dhe Luhansk. Europa është e shqetësuar se një marrëveshje e shpejtë e drejtuar nga SHBA mund të dëmtojë interesat afatgjata të kontinentit./L.F/dritare.net