8 Dhjetori. Dita e Rinisë, 35 vjet nga Lëvizja Studentore e vitit 1990
Dritare.net

Sot përkujtohet 8 Dhjetori, Dita e Rinisë, e cila shënon 35-vjetorin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990, një nga momentet kyçe në historinë moderne të Shqipërisë. Kjo ditë nderon guximin dhe vendosmërinë e studentëve, të cilët, përmes protestave i dhanë fund regjimit komunist dhe hapën rrugën drejt demokracisë dhe pluralizmit politik.
Më 8 dhjetor 1990, studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës nisën marshimin nga Qyteti Studenti drejt qendrës së kryeqytetit, duke u shoqëruar nga gjithnjë e më shumë qytetarë. Me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan liri, të drejta themelore dhe integrim europian. Protestat vijuan deri më 11 dhjetor, kur në takimin me Ramiz Alinë u njoh zyrtarisht pluralizmi politik.
Lëvizja vazhdoi edhe në fillim të vitit 1991, duke kulmuar më 20 shkurt me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, në sheshin “Skënderbej”. Sot, 8 Dhjetori mbetet një ditë reflektimi dhe homazhi për rininë shqiptare, që me veprimin e saj paqësor ndryshoi përgjithmonë fatin e vendit./L.F-dritare.net