Na ndiqni edhe në

Bota

Ish-oficeri i inteligjencës akuzohet për nxjerrjen e sekretave të Austrisë te shërbimet ruse

Ish-oficeri i inteligjencës akuzohet për nxjerrjen e sekretave të

Ish-zyrtari i inteligjencës austriake Egisto Ott ka dalë në gjyq në Vjenë, i akuzuar për spiunazh në favor të Rusisë, në atë që po konsiderohet një nga skandalet më të mëdha të spiunazhit në Austri në vitet e fundit. Ott, 63 vjeç, i mohon akuzat.

Prokuroria pretendon se ai ka dorëzuar informacione sekrete tek shërbimet ruse të inteligjencës dhe tek Jan Marsalek, ish-drejtuesi i kompanisë gjermane Wirecard, i cili është në arrati dhe besohet se ndodhet në Moskë. Sipas prokurorisë, Ott ka vepruar për arsye financiare dhe pakënaqësi profesionale, duke abuzuar me detyrën e tij për të mbledhur pa autorizim të dhëna personale dhe sekrete nga databaza policore austriake dhe ndërkombëtare mes viteve 2015–2021.

Ai akuzohet gjithashtu se ka siguruar për Rusinë një laptop me teknologji sekrete të sigurisë së BE-së dhe se ka kaluar të dhëna telefonike të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme të Austrisë. Në këmbim, thuhet se ka marrë pagesa nga rrjeti rus i inteligjencës.

Çështja ka ringjallur shqetësimet se Austria mbetet e ekspozuar ndaj spiunazhit rus. Jan Marsalek, i kërkuar ndërkombëtarisht për mashtrim financiar, dyshohet gjithashtu se është bashkëpunëtor i FSB-së ruse dhe se ka ndihmuar në koordinimin e aktiviteteve të spiunazhit.

Në një zhvillim tjetër, një ish-deputet austriak, Thomas Schellenbacher, akuzohet se ka ndihmuar Marsalek të arratiset në Bjellorusi në vitin 2020. Ott përballet me akuza për abuzim me pushtetin, korrupsion dhe spiunazh, dhe rrezikon deri në pesë vjet burg nëse shpallet fajtor./K.C/dritare.net