Evropa reagon ndaj Trumpit për Groenlandën: Nuk duam më përplasje
Dritare.net

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka deklaruar se Evropa “nuk do ta pranojë shantazhin” e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave tregtare, pas kundërshtimit europian ndaj planit të tij për marrjen nën kontroll të Groenlandës.
Trump ka paralajmëruar se do të vendosë një tarifë fillestare prej 10% mbi të gjitha mallrat që importohen në SHBA nga tetë vende aleate europiane, nëse ato vazhdojnë të kundërshtojnë marrjen e Groenlandës, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës. Ai ka thënë se tarifat mund të rriten deri në 25% në qershor dhe do të mbeten në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës”.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Suedisë, Finlandës, Holandës dhe Norvegjisë shprehën solidaritet të plotë me Danimarkën dhe popullin e Groenlandës, duke paralajmëruar se tarifat rrezikojnë të dëmtojnë seriozisht marrëdhëniet transatlantike.
Frederiksen theksoi se Evropa kërkon bashkëpunim dhe jo konflikt, por se respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial është i panegociueshëm. Edhe kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, i quajti kërcënimet me tarifa “plotësisht të gabuara”.
Trump ka argumentuar se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës, gjë që ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Ndërkohë, zyrtarë të NATO-s dhe liderë europianë kanë theksuar se siguria e Arktikut duhet të garantohet përmes bashkëpunimit dhe jo presionit ekonomik.
Në Danimarkë dhe Groenlandë kanë shpërthyer protesta kundër planeve të Trumpit, ndërsa sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e groenlandezëve dhe amerikanëve janë kundër që ishulli të bëhet pjesë e SHBA-së./L.F-dritare.net