
Nga Eldon Gjikaj
Në historinë politike shqiptare, pas vitit ’90-të, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) e nisi rrugëtimin e saj në vitin 2004. Ideologjikisht formimi i saj u artikulua si një alternativë e re e të majtës shqiptare, si një grupim individësh me “integritet”, fort të “zhgënjyer” e të “pakënaqur” me lidership-in e Partisë Socialiste, që po nëpërkëmbte themelitë e filozofisë politike majtiste, që po tradhëtonte elektoratin e saj, që, duke instaluar korrupsionin, po shpërdoronte pushtet pa ndërtuar shtet, etj., etj,. Në vitin 2005 LSI pati një kontribut substancial në humbjen që pësoi Partia Socialiste, duke bjerrur shumë vota nga elektorati i majtë. Në vitin 2009 ajo siguroi një numër minimal deputetësh, por absolutisht të domosdoshëm për të krijuar qeverisje (numri është origjina e gjithçkaje besonin pitagorianët). Gjatë bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike, numrat e deputetëve thuajse iu konvertuan në portofole ministrash dhe përfaqësim politik, në mënyrë kapilare, në të gjithë strukturën shtetërore qeverisëse qendrore e më pas vendore.
Pas bashkëndarjes së “frytshme” të pushtetit me Partinë Demokratike, me rekorde të “shëndetshme” përfitimi, LSI seliti aleancën me PS, duke e proklamuar si rikthim në “shtratin e saj natyral politik”. Fitorja e koalicionit PS-LSI, i garantoi rishtas kësaj të fundit po të njëjtën filozofi përfitimi, përmes vazhdimësisë së bashkëndarjes kapilare të pushtetit. Ajo vazhdoi të kishte dorë të lirë në të gjitha domenet ku qeveriste. Kjo situatë merr fund me zgjedhjet e vitit 2017 ku PS fitoi e vetme.
Gjatë ecurisë së saj LSI nuk mundi dot të krijonte një fizionomi të qartë politike, Pragmatizmi i theksuar, me shkas përfitimet e mundshme, që në potencë nuk garantojnë asnjëherë ardhmëri politike, ilustrohet fatalisht prej fjalëve të O. Uajlldit “Dinë çmimin e gjithçkaje, por vlerën e asgjëje”. Ajo u shenjua, gjithnjë e më shumë, si një formacion regjionalo-familjar (madje periferik), pa mundur dot asesi të ngrihej në një tjetër stad besueshmërie. Pa artikuluar dot intelektualisht një vizion politik të majtë, të gjeneruar nga një e tillë filozofi politike, të shembullorizuar konkretisht prej vetë liderve, LSI funksionoi si një “shifër e domosdoshme”, si një “lubrifikant politik” për dy makropartitë, PS dhe PD, që, me rradhë, mundësuan qeverisjen. Erozioni që po pëson sot, me rrjedhjet e njëpasnjëshme të anëtarësisë është një tregues i qartë i dështimit të saj ideologjiko-strukturor, sidomos në raport me elektoratin e majtë. Ky dështim vjen sa prej pozicionimit të gabuar, po aq edhe prej sjelljes me pushtetin, që përveç përfituesve, të gjithë të tjerët janë në gjendje ta shquajnë./dritare.net

















