
Bëtë gabim që e shkarkuat drejtoreshën e gjimnazit “Sami Frashëri”, prindërit e nxënësve peticion për rikthim
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani! Tërmeti siç duket i ka lëkundur të gjithë përveç fizikisht, por edhe mendërisht. Duke qenë se njerëzit e kanë humbur pak e janë bërë shumë emocionalë për këtë çështje, po merren vendime të gabuara. Shkarkimi i drejtoreshës së shkollës “Sami Frashëri”, Teuta Dobit është gabim që s’më rrihej pa e trajtuar. Vazhdoj për të disatën herë t’u bëj thirrje mediave të kontrollojnë gjërat para se të flasin e publikojnë lajme të pabaza. Përfshirë këtu televizione me emër që nxorën rastin në fjalë duke thënë se “drejtoresha rrezikoi jetën e nxënësve dhe i futi në shkollë një ditë pas tragjedisë.” I keni harruar fare pyetjet bazë të gazetarisë, pse, si, apo qysh e tek ndodhi kjo ngjarje. Mjaftoheni me tituj bombastikë duke dhënë lajmin pa prekur arsyet apo detaje të tjera.
Teuta Dobi është nënë për vete, madje shumë e përkushtuar për familjen e saj e kurrsesi s’do të rrezikonte jetën e nxënësve për arsyet e veta personale. Provimi i gjermanishtes nuk ka qenë i organizuar nga shkolla si një testim i rastit. DSD është provim i gjuhës gjermane që vendoset e njëjta datë në të gjithë botën. Shkolla “Sami Frashëri” ka disa klasa pilote me mësues gjermanë e shumë nxënës vendosin të shkojnë atje për studime. Për t’u aprovuar studimet duhet patjetër të kalojnë testin e gjuhës që mbahej me datën 27 nëntor. Në të kundërt nxënësit humbisnin të drejtën e studimit në Gjermani, pasi provimi tjetër mbahet rreth nëntorit duke humbur një vit shkollor. Madje kanë qenë ata të cilët i janë lutur drejtoreshës për ta kryer provimin duke marrë parasysh rëndësinë e tij. Jam e bindur që një ditë pas tërmetit, askush s’ka dashur të punojë përfshirë këtu Teutën e gjithë neve. Shkuarja në shkolla u pezullua ato ditë me urdhër nga ministrja, por profesorët gjermanë morën leje nga Ministria e Arsimit për të zhvilluar në mënyrë specifike këtë lloj testimi.
Për të qenë dakord me të gjithë, shkolla “Sami Frashëri” ka marrë dhe aprovimin e prindërve me email një më një, të cilët i japin të drejtën që fëmijët e tyre të zhvillojnë provimin DSD në datën 27 nëntor.
Pas tërmetit të datës 26 nëntor, shkolla nuk pati dëmtime përveç disa plasaritjeve të vogla.
Këtë e dëshmojnë dhe raportimet që drejtoresha ka bërë në autoritetet përkatëse dhe ekspertët që kanë ardhur për ta parë nga afër ditën para provimit. Janë vetë ekspertët që aprovuan se shkolla është jashtë rrezikut dhe provimi mund të zhvillohej.
Disa dëmtime serioze ndodhën në tërmetin e datës 28 nëntor ku me insistimin e Teutës që të vinin për kontroll u vu shiriti shkollës në datën 3 dhjetor si ndërtesë e pasigurtë. Ankesa tendencioze e një prindi bëri që të shkarkohej drejtoresha në një kohë kur shkolla ka nevojë më shumë për ndihmë.
Theksoj përsëri që provimi nuk është bërë pa marrë lejen në autoritetet përkatëse, sepse askush s’do
të kishte dëshirën të bënte heroizma në një kohë kaq kritike. Pjesë e këtij vendimi janë dhe drejtuesit gjermanë të klasave pilote, të cilët e kanë çuar si çështje deri në Bundestagun Gjerman për të kërkuar të drejtën e Teuta Dobit. Jam e sigurt që ata s’do ta lenë me kaq. Të gjithë bëjmë gabime në jetë, përfshirë këtu edhe gjykatësit, por ky rast mendoj se është i padrejtë e duhet rishikuar me kujdes. Dihet që vëmendja e të gjithëve është te dëmtimet e tërmetit e në zonat më të prekura, por mos të harrojmë që “Sami Frashëri” është gjimnazi më i mirë në Republikën e Shqipërisë, e s’mund të lihet pa drejtuesen që i dha titullin, pikërisht në kohëra kaq të vështira. Të paktën minimumi ndaj drejtoreshës mund të merrej një masë disiplinore, por jo heqje nga puna pa verifikuar mirë rastin. Uroj që peticionet e nxënësve dhe prindërve të shkojnë në veshin e duhur, pasi mungesa e saj në drejtim ndjehet direkt. Kush e njeh Teutën e di shumë mirë sa kohë i dedikon shkollës me dëshirën më të madhe, jo sepse e ka me detyrim prej punës.
Mendjen e ka vetëm të bëjë diçka për gjimnazin. Kur njihte njerëz me pozitë ose me mundësi financiare u kërkonte të kontribuonin për laboratorin, palestrën, mjete mësimore moderne apo lule për dekorimin e shkollës. Mund të them pa frikë që më shumë kohë kalonte në zyrë sa në shtëpi. Në një komunikim me mikeshën time për këtë rast më tha: “Po sa gjynah o goce, hiqet Teuta nga Samiu?” Bashkëpunimi i saj me prindërit, gazetarët, nxënësit e konkurset e fituara dhe olimpiadat e shumta, janë matësi më i mirë i drejtimit të saj këto vite. Influencuesit më të mëdhenj në jetët tona janë mësuesit, e kur kemi shembuj pozitivë duhet t’i mbajmë sa më mirë. S’po them që karrigia e Teutës nuk duhet zënë nga drejtues të tjerë në vazhdim, por është shumë e dhimbshme për një arsimdashëse që i ka dedikuar jetën nxënësve ta largojnë në këtë mënyrë e për arsye të pasakta./dritare.net

















