
Basha nga Durrësi: Ne jemi të përkushtuar për uljen e taksave dhe luftën ndaj korrupsionit!
Dritare.net

Basha tha se qytetarët e Durrësit nuk kanë nevojë për një qeveri që po i mbyt me taksa, me rritje të kostos dhe me korrupsion, por një qeveri që ua bën jetën më të lehtë. Më tej, Basha shtoi se PD është e përkushtuar në uljen e taksave dhe luftën ndaj korrupsionit
“Ju po mbyteni nga efektet e rritjes së taksave, rritjes së kostos dhe korrupsionit të kudogjendur të cilat kanë shkaktuar një klimë biznesi më të keqen në rajon, më të keqen në Europë, sipas matjeve më të fundit të Bankës Botërore dhe matjeve më të sakta që janë matjet tuaja si punëdhënës dhe janë matjet e punëmarrësve, qytetarëve shqiptarë të cilët goditen drejtpërdrejtë nga pamundësia e biznesit për të hapur vende pune. Në kontrast me këtë qeveri për mua një biznes i çliruar, i rimëkëmbur dhe i fuqizuar është një zemër të vizionit tonë për Shqipërinë. Ju keni aftësitë, ju keni gjenialitetin për të çarë përpara, për të arritur sukses, për të qenë shtyllë e zhvillimit dhe prosperitetit të vendit. Ajo që ju duhet është një qeveri që ju kupton, një qeveri që ju mbështet, një qeveri që ju jep pak ndihmë kur e keni nevojën për këtë ndihmë. Një qeveri që nuk është aty për tua bërë jetën më të vështirë, por për tua bërë më të lehtë. Për këtë arsye ne jemi të përkushtuar për uljen e taksave, për luftën kundër korrupsionit dhe për krijimin e kushteve të barabarta të barazisë para ligjit, konkurrencës së ndershme, aksesit të barabartë në treg, në tendera, në prokurime publike, kjo është në zemër të platformës sonë. Me anë të kësaj duam t’ju shohim të keni sukses, të fuqizoheni, të punësoni, të rriteni sepse një biznes i fuqishëm është prosperitet për vendin”, deklaroi Basha./E.B-dritare.net

















