
Atmosferë festash në Tiranë, ndizet pema e Vitit të Ri
Dritare.net

Edhe pse duhen edhe një muaj e gjysmë deri në fundvit, atmosfera e festave në Tiranë ka nisur mbrëmjen e së premtes në Sheshin Skëndërbej.
Nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, pema e Vitit të Ri në qendër të Tiranës është ndezur tanimë dhe fshati i festave ofron një atmosferë mhanitëse.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa mori pjesë në ndezjen simbolike të dritave të pemës, u shpreh se edhe Tirana i bashkohet këtë vit kryeqyteteve të botës, të cilat festat kanë vendosur t’i nisin pak më shpejt.
“Disa prej jush, sidomos fëmijët që janë këtu, më kanë çuar peticione, kanë mbledhur firma në klasë, në lagje, në shkollë dhe na kanë thënë: Lali Eri, a mund të zgjasësh pak më shumë festat, se mbyllen shumë shpejt? Nuk i zgjasim dot pas 1 janarit, por ajo që mund të bënim është t’i fillojmë pak më herët dhe në fakt, në gjithë qytetet e botës ka filluar pak më herët festa, ndaj kjo është arsyeja pse do t’i hapim që sot dritat e festës, jo vetëm këtu, por në disa vatra, edhe në sheshin Skënderbej, edhe tek Liqeni, këtë fundjavë tek Pazari i Ri dhe në të 24 njësitë e Tiranës, për t’u siguruar që e gjithë Tirana, nga cepi në cep, ka një stinë festash të jashtëzakonshme”, tha Veliaj ndër të tjera./ I.M-Dritare.net

















