Atentat në Mirditë, vritet Viktor Bardhi! Gjendet e djegur makina e autorëve
Dritare.net

Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushaz të Mirditës, ku Viktor Bardhi është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Pas atentatit, një automjet që dyshohet se është përdorur nga autorët është gjetur i djegur në zonën e Munazit. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës për ngjarjen.
Viktor Bardhi është vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua në Rrëshen në shtator të vitit 2023. Vrasja e Martin Bardhit ishte hetuar në atë kohë edhe në pistën e hakmarrjes, për shkak të një konflikti të mëparshëm mes familjeve.
Ngjarja e sotme rikthen në vëmendje konfliktet e vjetra që kanë prodhuar disa episode të rënda kriminale në zonën e Mirditës.
Forcat e policisë ndodhen në terren dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare për autorët apo motivin e saktë të vrasjes.
Hetimet vijojnë.