Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arion Sulo largohet nga Mapo: Kalimi nga media ideologjike në një korporatë mediatike

Arion Sulo largohet nga Mapo: Kalimi nga media ideologjike në një
Kryeredaktori i “Mapo” Arion Sulo në një intervistë për median e tij, ka tregur se nuk do të jetë më kryeredaktor në këtë media, por do të kalojë në News 24 në postin e Drejtorit të Informacionit.

Intervista

Pas pothuaj 20 viteve në median e shkruar tashmë ju keni kaluar Drejtor Informacioni në News 24. A ishte një vendim i lehtë dhe pse pikërisht tani?

Ishte këmbëngulja e botuesit Henri Çili dhe lidhja ime që prej krijimit të gazetës “Mapo” ajo që më së shumti më bëri të them dy fjalë për rastin e largimit tim nga gazeta. Në fakt, Henri nuk e ka gabim kur kërkon të dokumentojë stacionet e “krijesës” së themeluar prej tij, edhe pa pyetur se njerëzit mund të vihen në siklet si në rastin tim, meqë lëvizja është në ikje dhe jo në ardhje, apo për faktin që mendoj se lëvizjet e gazetarëve nga njëra media në tjetrën përbëjnë ngjarje për jetën e tyre profesionale, por jo për publikun e gjerë.

Arsyeja e kalimit tim si Drejtor Informacioni i Televizionit News 24 lidhet me natyrën dhe përmasat e këtij televizioni dhe me mbylljen e një etape profesionale në gazetën “Mapo”.

“Mapo” u bë përherë e më shumë një gazetë ideologjike, zgjodhi idetë përballë gazetarisë së fakteve dhe jo më kot, pa e fshehur aspak në testatën e gazetës, në vend të fjalisë “e përditshme e pavarur” është vendosur “e përditshme liberale”. Një zgjidhje sovrane e botuesit Henri Çili, por që unë nuk e ndava 100 %.

Në këtë kontekst, mundësia e ofruar nga botuesi i Focus Group, z. Hysenbelliu nuk mund të pritej veçse me interes dhe vlerësim nga ana ime. News 24 është një korporatë mediatike e suksesshme dhe burim i parë informacioni për pjesën më të madhe të shqiptarëve. Ka të gjitha asetet e nevojshme për të mbuluar me profesionalizëm të gjithë spektrin e informacionit dhe të analizës për ngjarjet dhe çështjet e interesit më të lartë publik.

Ndaj për t’i rënë shkurt, kalimi im në këtë platformë të madhe është një zgjedhje e natyrshme, një mundësi e jashtëzakonshme profesionale dhe sfidë gjithashtu.

Meqë jemi në numrin e parë të një rubrike të re në “Mapo” që i kushtohet medias, si e shihni debatin mes llojeve të mediave, mes asaj konvencionale dhe asaj alternative dhe sa ka ndryshuar industria mediatike?

Debati për mediat tradicionale dhe ato alternative është tashmë i vjetër në botë. Te ne është më i ndjeshëm, pasi jemi një nga vendet me numrin më të madh të mediave për popullsi, duke përfshirë të gjitha llojet e tyre.

Media online është sot në ekspansion për shkak të revolucionit teknologjik dhe përshtatjes së menjëhershme të lexuesve me të. Ajo është një mundësi shumë e madhe, por është njëherazi edhe delikate për shkak të shpejtësisë së informacionit dhe kakofonisë së mesazheve.

Megjithatë, unë mendoj se këtu ngatërrohet shpesh debati për platformën mediatike me debatin për gazetarinë si profesion. Gazetaria mbetet e njëjta si kurdoherë, pavarësisht mënyrës se në cilën platformë i përcillet publikut. Ajo duhet t’i nënshtrohet të njëjtëve rregulla profesionalë të saktësisë së fakteve, pavarësisë dhe përfshirjes së të gjitha pikëpamjeve për të fituar garën e besueshmërisë te publiku.

Mediat e njohura ndërkombëtare bëjnë sot një ndërthurje mes printit apo TV dhe faqeve të tyre online. Por ajo që vihet re është se standardet profesionale i mbajnë të njëjta dhe “manipulojnë” me platformat mediatike dhe dinamikën e shpërndarjes së tyre.

Pak më ndryshe te ne, ku në fillim media alternative (websitet, rrjetet sociale, blogjet etj.) sollën idenë se hapësira e lënë bosh nga mediat tradicionale për shkak të uraganit teknologjik, por edhe presioneve apo miklimeve nga qeveritë dhe partitë politike do të mbushej nga mediat e reja në interes të publikut.

Ndodhi që portalet u infektuan nga i njëjti virus, por këtë herë me çmime qesharake apo me partizanizëm edhe më të lartë politik. Mostrajtimi i medias si biznes, por si sponsorizim për përfitime të tjera është problemi kryesor edhe i pjesës më të madhe të portaleve.

Nga ana tjetër, parcelizimi i gazetarisë ka bërë që shumë portale të funksionojnë me stafe të reduktuara në kufijtë e të pamundurës, paga të vogla dhe mosrespektim të së drejtës së autorit.

Thënë këtë, nuk është e vërtetë që gjithçka shkon keq me median online.

Ka portale që mbajnë standardet profesionale të gazetarisë, punojnë me stafe normale dhe për pasojë kanë lexues të shumtë e të ardhura nga reklamat, gjë që i bën eficientë në këtë biznes.

Po shtypi i shkruar, që gjithsesi ka lexuesit e tij, madje janë ata më të kultivuarit…

Si gazetar i shtypit të shkruar për dy dekada, personalisht kam arsye të shumta për të qenë njëherazi nostalgjik dhe i shqetësuar për të ardhmen e gazetave. Nga ana tjetër, nuk themi ndonjë gjë të re nëse përsërisim se ne jemi dëshmitarë në funeralin e një pjese të medias së shkruar, jo vetëm këtu, por kudo në botë.

Por edhe pse tirazhet e ikonave të printit në Perëndim janë përgjysmuar dhe sërish rënia vijon, dhe shpenzimet e industrisë së gazetave mbeten shumë herë më të larta se ato online, gazetat më të rëndësishme në botë nuk e kanë lëshuar betejën e tyre. Përkundrazi, ato e kanë orientuar produktin te gazetaria e thelluar, analiza dhe investigimi i njerëzve në pushtet për të ruajtur ndikimin.

Nga ana tjetër, integrimi i gazetarisë tradicionale me platformat e reja është i pashmangshëm. Dhe këtu më vjen në mendje një lajm i bujshëm nga Washington Post, e cila gjatë vitit të kaluar futi risinë e paimagjinueshme më parë; një robot që shkruan lajmet e thjeshta të agjencive për t’iu mundësuar gazetarëve më shumë kohë për gazetarinë e thelluar.

Njësoj edhe këtu zgjidhjen e shoh tek integrimi i gazetarisë profesionale me fuqizimin e websiteve për të balancuar shpenzimet dhe për të ruajtur cilësinë e produktit./ Mapo