Akuza e fortë e Gjermanisë: Rusia e sulmoi me dron aeroportin e Lajpcigut
Dritare.net

Gjermania akuzon Rusinë për sulmin me dron në aeroportin e Lajpcigut
Gjermania ka deklaruar se Rusia qëndron pas sulmit me dron të muajit të kaluar në aeroportin Leipzig/Halle, në lindje të vendit.
Më 4 gusht, në aeroport u zbulua një dron që transportonte një pajisje shpërthyese. Pajisja nuk shpërtheu, pasi detonatori dyshohet se kishte defekt. Droni u gjet pranë avionëve ukrainas të ngarkesave.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se një dron i dytë u përplas me një avion mallrash në afërsi të aeroportit. Dhjetë ditë më vonë, pranë aeroportit raportohet se u gjet edhe një dron i tretë.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se sulmi në aeroport ndjek modelin e “operacioneve hibride të mirëpërcaktuara ruse në Evropë”. Sipas tij, ekziston bindja se Gjermania mund të jetë sërish objektiv i një sulmi të tillë.
Dobrindt deklaroi se ekzaminimi i pajisjeve të përdorura, së bashku me të dhënat e inteligjencës, kanë vërtetuar përfshirjen e Rusisë në sulm.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i cili ndodhej pranë Dobrindtit gjatë konferencës për shtyp në Berlin, njoftoi masa të reja ndaj Rusisë.
Wadephul tha se do të urdhërojë mbylljen e konsullatës ruse në Bon, ndërsa do të ndërpritet edhe kontrata për Russian House në Berlin.
Ky institucion është kritikuar prej kohësh nga vëzhguesit, të cilët e kanë akuzuar se është përdorur për aktivitete spiunazhi dhe për përhapjen e propagandës ruse.
Deklaratat e autoriteteve gjermane vijnë në një kohë kur Berlini paralajmëron për shtimin e operacioneve hibride ruse në territorin evropian, përfshirë përdorimin e dronëve, spiunazhin dhe ndërhyrjet e tjera të dyshuara./K.C/dritare.net