A ka nevojë Edi Rama për sytë e Albin Kurtit (…e anasjelltas)?

Nga Skënder Minxhozi

Ka pasur një kuriozitet në rritje për mënyrën sesi fituesit e rinj politikë të zgjedhjeve kosovare, do ta prisnin udhëtimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Novi Sad të Serbisë, për të nënshkruar, së bashku me presidenti serb Vuçiç dhe kryeministrin maqedon Zaev, atë që tashmë njihet si Shengeni ballkanik. Një marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të lehtësuar qarkullimin e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve. Takimi trepalësh zhvillohej ndërkohë që Kosova vazhdonte të numëronte votat e një procesi që do të sjellë, me gjasë, jo thjesht një rotacion politik, por edhe një erë ndryshimi në politikën kosovare.

Reagimet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, dy krerëve politikë të bashkëqeverisjes së ardhshme, e konfirmuan skepticizmin kosovar. “…ne po shohim që jo vetëm që Serbia po e pengon Kosovën, por edhe Shqipëria e injoron atë në këtë rast. Është absolutisht e gabuar që Shqipëria të pranojë të arrijë një marrëveshje në të cilën Kosova nuk është pjesëmarrëse, madje si shtet i pavarur”, u shpreh Vjosa Osmani. Kurse Albin Kurti e zhvilloi edhe më tej idenë e një konsultimi paraprak mes Tiranës e Prishtinës në këtë rast, duke shtuar se do të donte që Shqipëria ta shihte Serbinë me sytë e Kosovës.

Ka pak gjasa që në deklaratat e mësipërme të ketë luajtur rol fakti që krerët politikë në fjalë janë në mesin e një negociate delikate për qeverinë e ardhshme, e për pasojë edhe deklarimet e tyre janë rrethanore dhe kalimtare. Idea se politika e jashtme e Shqipërisë duhet të ketë një pikë rëndese gjithnjë e më të spostuar në aksin e interesave të Kosovës, po ze vend në mënyrë progresive me kalimin e viteve.

Por Kosova sot është një shtet i pavarur. Ajo ka nevojë të krijojë profilin e vet ndërkombëtar. Ka me patjetër nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e Shqipërisë, si më i pari aleat i natyrshëm, në një rajon të mbushur me armiq ose miq hipokritë. E ndërkohë që termi “armik” ka nisur të ridimensionohet në dy dekadat e fundit, kjo ka ndodhur edhe prej faktit se sot kemi një shtet të dytë shqiptar në Ballkan, i cili po kërkon të konsolidohet së brendshmi dhe të afirmohet së jashtmi.

LEXO DHE :  Gjykata lë në burg bashkautorin e vrasjes së Eri Zefit

Roli i shtetit amë në këtë proces është jetik për kosovarët, po dy shtetet s’kanë pse të kijojnë një klon të njëri-tjetrit. Kosova s’ka nevojë për sytë e Shqipërisë dhe as Shqipëria për sytë e Kosovës. Janë mirë në rolet e tyre komplementare, s’kanë pse të krijojnë mbivendosje e t’i shkelin këmbët njëra-tjetrës. Jo gjithnjë bashkimi bën fuqinë.

Shqipëria është një shtet me mbi 100 vjet jetë, me lidhje e marrëdhënie të vjetra diplomatike me një komunitet të gjerë shtetesh afër dhe larg pjesës së diellit që i ka rënë për hise. Ashtu siç ka ndodhur me emërimin e një shefi diplomacie nga Kosova, apo me fillimin e integrimit të sistemeve diplomatike mes dy kryeqyteteve, Shqipëria po përpiqet ta luajë rolin që i takon në afirmimin e Kosovës, shtimin e njohjeve dhe integrimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve.

Por kur Albin  Kurti thotë se ai dhe kryeministri shqiptar duhet të përdorin vetëm një palë sy për të parë Serbinë, duket se qartë se mbi logjikën, fiton emocioni patriotik. Pasi avancimi i Shqipërisë në integrimin rajonal, siç po ndodh edhe me Shengenin ballkanik, ka vetëm impakt pozitiv edhe për Kosovën. Integrimi i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të jetë sfida, jo vetëizolimi i të dyjave, për hir të humoreve, paragjykimeve dhe izmave çfarëdo të së shkuarës apo të tashmes.

Katër sy janë më mirë se dy. Kosova dhe Shqipëria duhet të ruajnë origjinalitetin dhe veçanësinë që i bën të dallueshme në botë, gjithnjë duke pasur në plan të parë dhe duke ruajtur fort komunikimin dhe bashkërendimin mes tyre. Precedenti i korrikut, kur qeveria shqiptare u tërhoq nga Samiti i CEEP në Sarajevë për shkak të mungesës së Kosovës në tryezë, ishte një gabim që s’ka pse të përsëritet. Shtetet e përgjegjshme nuk dezertojnë, ato dialogojnë. Dhe Shqipëria e Kosova i kanë të gjitha mundësitë për të qenë të tilla./javanews

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.