Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A ekziston altruizmi i vërtetë?

A ekziston altruizmi i vërtetë?
Nga Lis Bukuroca

Shpjegim i përkthyesit: Termi "fitness“ që përdor autorja, është lënë si në origjinal, në gjermanisht. Fjalori i gjermanishtes "Duden“, nuk e ka në kuptimin e përdorur në këtë trajtesë, por i qaset aftësisë fizike dhe gjendjes trupore. Ashtu është edhe me fjalorin "Larousse“ të frëngjishtes. Fjalori i gjuhës italiane te gazeta  “la reppublica” e shpjegon kështu: “…fitnes“ është tërësia e tipareve gjenotipike dhe fenotipike, që e bëjnë një organizëm të përshtatshëm për mbijetesë dhe për riprodhim në një mjedis të caktuar. “Fitnes” është gjithashtu një gjendje e efikasitetit dhe ekuilibrit psikofizik.“ Kështu duhet kuptuar termin në këtë përkthim.

“Gjenotipike”, – që bazohet në gjene. “Fenotipike” në gjenetikë domethënë: sasia e të gjitha tipareve te një organizëm, jo vetëm ato morfologjike, por edhe fiziologjike, si dhe karakteristikat e sjelljes. Fjala popullatë nuk nënkupton popullsinë, por një grup të gjallesave në përgjithësi. “Haplodiploidi” është një formë e përcaktimit të gjinisë, ku njëra gjini është bartëse e vetëm një grupi të kromozoneve, kurse gjinia tjetër e dy grupeve.

Hyrje

1.1 Shpjegimi i pyetjes

Kjo trajtesë merret me pyetjen se a ekziston një altruizëm i njëmendtë apo pas kësaj sjelljeje, në shikim të parë vetëmohuese, gjendet gjithmonë një motiv egoist, rrjedhimisht një favorizim i vetvetes. Sepse, edhe nëse bëjmë diçka të mirë për të tjerët, është e mundur se e bëjmë atë në radhë të parë për vetveten dhe për të nxjerrë nga ai veprim një dobi, që nuk shihet, ose, sepse presim që më vonë, bamirësia jonë të shpërblehet me një kompensim tjetër. Pra, shtrohet pyetja, a është altruizmi i njëmendtë pjesë e natyrës së njeriut apo jo?

Trajtesa fillon me shpjegimin e disa termeve përkufizues si dhe me shpjegimin e koncepteve të ndryshme të altruizmit. Në pjesën kryesore, do të bëhet fjalë për sfondin teorik të këtyre koncepteve. Në fund, aspektet do të përmblidhen në trajtesë dhe krahasohen me njëri-tjetrin. Punimi përfundon me murkullimin, i cili derivon nga teoritë, si dhe nga trajtimi i çështjes.

1.2 Paradoksi i altruizmit

Nga pikëpamja e teorisë së evolucionit të Darvinit, altruizmi paraqet një paradoks, sepse kur dikush vepron në mënyrë altruiste, i jep një personi tjetër në dispozicion resurset e veta pa marrë një kompensim. Meqenëse me një akt të tillë zvogëlohet suksesi i tij riprodhues, sipas teorisë së evolucionit, qëndrimi altruist, do t‘ ishte dashur të zhdukej gjatë periudhës së evolucionit (Fetchenhauer & Bierhoff 2004, fq.131). Edhe Smith, qysh në vitin 1978, shtroi pyetjen, pse seleksioni promovon mënyra të sjelljes, që duket se nuk i shërbejnë mbijetesës së individit. Nga pikëpamja e sociobiologjisë, është shumë e pamundur, që një individ, të mundë të bëjë diçka, që do të dëmtonte mbijetesën e tij (cituar sipas Wuketits 1997, fq. 82). Edhe vetëvrasja, e cila është e rrallë te njerëzit dhe pothuajse nuk ndodh kurrë te kafshët, konsiderohet nga Wilson (1975) si një anomali biologjike, e cila nuk është përhapur shumë te asnjë popullatë. Nga pikëpamja biologjike, vetëvrasja është kundër produktive, sepse të gjitha gjallesat duan kryesisht të sigurojnë mbijetesën (cituar sipas Wuketits 1997, fq. 71)

  1. Përkufizimet

2.1 Sjellja prosociale

Në psikologjinë sociale konsiderohet si kuptimplote një ndarje e qartë ndërmjet termeve "ndihmë", "sjellje prosociale" dhe "altruizëm", meqë ato shpesh përdoren si sinonime. Bierhoff (2007, fq. 298f) e sheh "ndihmën" si termin që përfshin më shumë veprime. Ai i qaset akteve, që kanë për qëllim përmirësimin e gjendjes së  marrësit të ndihmës. Aty mund të nënkuptohet edhe ndihma, e cila bëhet gjersa ushtrohet një profesion. Megjithatë, kjo nuk llogaritet si sjellje prosociale, sepse ky term është kufizuar shumë. Ndihma nuk vështrohet si veprim prosocial, kur është e motivuar nga profesioni, ose kur ushtrohet nga organizatat.

Një përjashtim bën këtu vetëm ndihma e organizatave bamirëse, të cilat kanë si qëllim, të ndihmuarit e njerëzve në nevojë. Termi "altruizëm" është edhe më shumë i limituar sepse qëllimi sipëror i personit që ndihmon, duhet të jetë i dobishëm për një person tjetër. Sjellja prosociale, mirëpo, mund të ketë diçka tjetër si qëllim sipëror, për shembull, për të fituar mirënjohje sociale ose për të zvogëluar brerjen e ndërgjegjes, për shembull, kur njeriu vëren një situatë emergjente, ku duhet ndihmuar me nxitim. Te veprimi prosocial, ndihmuesi mund të jetë i motivuar nga egoizmi, por gjithashtu edhe për shkaqe altruiste (ibid., fq. 298f).

2.2 Altruizmi

Në sociobiologji me altruist nënkuptohet çdo lloj gjallese, që zvogëlon fitnesin e vet për një ose më shumë qenie të tjera të gjalla. Me aftësi përkatëse fitnesi, nënkuptohet gjithmonë suksesi riprodhues. Meqenëse me termat si altruizmi ose egoizmi tradicionalisht përshkruhen sjellje njerëzore, kritikët e sociobiologjisë, refuzojnë këto terma për botën shtazore. Ata janë të mendimit se duhet pasur aftësi për të kuptuar nevojat dhe vuajtjet e të tjerëve, në mënyrë që tregohet bamirësia dhe ofrohet ndihma. Kafshët nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë (Wuketits 1997, fq. 69). Në psikologjinë sociale si altruizëm definohet vepra, kur ndihmuesi nuk përfiton nga sjellja e tij, as dobi materiale, as psikologjike. Prandaj, kushdo që ndihmon dikë që ka nevojë, për të mos u ndjerë fajtor ose nga frika e sanksioneve negative sociale, sipas definicionit social-psikologjik, nuk vepron si altruist (Fetchenhauer & Bierhoff 2004, fq. 132).

2.2.1 Altruizmi nepotist

Altruizmi nepotist ka të bëjë me investimin në një anëtar të familjes, ku pritshmëria e përfitimit shprehet në fitnes jo të drejtpërdrejtë. Baza për këtë është përzgjedhja e të afërmve (Voland 2000, fq. 100). Te altruizmi nepotist, sa më e vogël që të jetë kostoja për altruistin, aq më e madhe është mundësia që ai të veprojë në mënyrë altruiste, kur të bëhet krahasimi me dobinë që nxjerrë i afërmi nga vepra e tij. (Hamilton 1964, cituar nga Wuketits 1997, fq. 93). Altruizmi nepotik njihet edhe si ekonomi e fisit. Aty kostoja nuk sjell dobi të drejtpërdrejtë në fitnes, por në mënyrë të tërthortë ndikon në rritjen kualifikimit. (Wuketits 1997, fq. 93).  Pra, bëhet fjalë për pranimin e humbjeve të fitnesit personal, në favor të të afërmve, por këtu përjashtohen investimet që bëjnë prindërit në fëmijët e tyre (Voland 2000, faqe 100).

2.2.2 Altruizmi reciprok

Sipas Voland një altruist reciprok është një njeri, që në fillim heq dorë në favor të palëve të treta nga shfrytëzimi i plotë i shanseve të tij të riprodhimit. Megjithatë, ai më vonë, do të shpërblehet dhe përmbajtja, do t‘ i paguhet në një rast tjetër. Në fund të fundit, një mbështetje e tillë e ndërsjellë, do të sigurojë rritjen e fitnesit për të gjithë pjesëmarrësit, ku të paktën kompensohen shpenzimet e bëra në fillim nga altruizmi (2000, fq. 99f).

2.2.3 Altruizmi gjenetik

Altruizmi gjenetik është një investim në grup, popullatë ose lloj, pa pritshmëri të fitimit. Pra është fjala për një shkëmbim të fitnesit kundrejt fitnesit të huaj. Altruizmi gjenetik, në një periudhë afatgjate çon mesatarisht në bilanc negativ fitnesi të altruistit (Voland 2000, fq. 100ff).

2.2.4 Egoizmi

Me egoist, socio biologët kuptojnë një qenie të gjallë që rrit fitnesin e vet në kurriz të individëve të tjerë (Wuketits 1997, 69).

3 Sfondi teorik

3.1 Altruizmi

Sipas teorisë së seleksionit të Darvinit, duhej të zhvilloheshin vetëm sjelljet që janë volitshme, dmth. sjelljet që ndikojnë në rritjen e fitnesit riprodhuese të një qenieje të gjallë. Por nëse altruizmi përkufizohet si në hyrje, si një sjellje në të cilën rritet fitnesi riprodhuese i një personi tjetër pa përfitimi vetjak, atëherë sjellja altruiste do të ishte shumë e papërshtatshme. Kështu, lind pyetja, a ekziston përnjëmend altruizmi i vërtetë, sepse gjithnjë mund të shpjegohet me motive egoiste (Fetchenhauer & Bierhoff 2004, fq. 132). Spencer ka folur për këtë qysh në vitin 1886, ku nënvizonte se një altruist mund të ketë ndjenja egoiste dhe prandaj i quajti ato ego-altruiste.  (…)

3.1.1 Altruizmi nepotik

Te altruizmi nepotik, i quajtur edhe nepotizëm, është fjala për investimin në një të afërm, ku pritshmëria e fitimit shprehet në mënyrë të tërthortë. Bazën e saj e krijon seleksionimi i të afërmve (Voland 2000, fq. 100). Kjo bazohet në prejardhjen e përbashkët gjenetike, e cila duke u bazuar në koeficientin e lidhjes së gjakut, mund të shprehet në "r". Në popullatat pa incest, midis prindërve dhe fëmijëve të tyre është r = 0.5. Për shkak të tëhollimit gjenetik në bazë të riprodhimit nga dy gjini, “r”  zvogëlohet përgjysmë me çdo brez dhe në këtë mënyrë, arrin në 0.25 midis gjyshërve dhe nipërve, r = 0.125 midis stërgjyshërve dhe stërnipërve (ibid., fq. 5). Një shembull i altruizmit nepotist është e ashtuquajtura "sjellje ndihmuese në fole“ , me çfarë nënkuptohet mbështetja e riprodhimit e të afërmve në kurriz të riprodhimit vetjak. (...)

3.1.1.1 Përzgjedhja e të afërmve

Për të shpjeguar se pse gjallesat më parë përkrahin të afërmit e tyre dhe jo ata të panjohur, Hamilton futi në përdorim konceptin e fitnesit të përgjithshëm. Ai përbëhet nga dy pjesë; nga njëra anë nga fitnesi i drejtpërdrejtë, i cili shprehet nga suksesi individual riprodhues dhe nga ana tjetër, nga fitnesi indirekte. (...) Me fitnes indirekt nënkuptohet ndikimi i një qenie në fitnesin e fqinjëve të vet, shumëzuar me shkallën e afrisë së gjakut. Pra merret në konsiderim ndikimi i përjetshëm i një individi në tërësinë e gjeneve të brezave vijuese. (…)

Seleksionimi i të afërmeve varet nga ngjashmëria e individëve të familjes, domethënë ata duhet të kenë një sasi të caktuar të gjeneve identike, kështu që denduria e aleleve (një nga dy gjenet e kromozomeve homologe, shpjegim i përkthyesit) që janë të ngjashme me gjenet e veta, në popullatë rritet, kur riprodhimi i të afërmeve inkurajohet (ibid., P. 2). Teorema themelore e teorisë së Hamiltonit thotë se një veprim i caktuar, ose një gjen duhet të shkaktojë një tepricë neto të fitnesit të përgjithshëm të një individi, për të qenë i favorshëm gjatë seleksionimit. (ibid., f.6).

3.1.1.2 Eusocialiteti

Me eusocialitet nënkuptohet bashkëjetesa bashkëpunuese e më shumë brezave në bashkësi shoqërore, ku vetëm një ose disa individë shumohen. Anëtarët tjerë të bashkësisë mbeten pa pasardhës dhe marrin përsipër detyra të ndryshme ndihmuese si për shembull ushqimi i të vegjëlve apo ndërtimi i folesë. Eusocialiteti është i pranishëm te insektet, sidomos te lloji  i himenoptereve, milingonat, bletët, grethat dhe mizat e mëdha. Te ato vetëm mbretërit riprodhohen, ndërsa punëtorët zakonisht qëndrojnë steril tërë jetën (Voland 2000, fq. 73). Në sociobiologji këto fenomene të “ndihmës-në-fole” quhen altruizëm nepotik.

Këtu nënkuptohen mënyrat e sjelljeve vetëmohuese, efekti i të cilave ndikon në rritjen e fitnesit tek individë të tjerë, por të afërt gjenetikisht. Në të njëjtën kohë, altruisti ngarkohet me shpenzimet e fitnesit. Punëtoret në një shtet insektesh janë në këtë kuptim altruistë, pasi heqin dorë nga riprodhimi i vet, ndërsa ndihmojnë mbretëreshën në riprodhimin e saj. Megjithatë, steriliteti i përjetshëm duket se bie në kundërshtim me teorinë e evolucionit të Darvinit.

Hamilton zbuloi se altruizmi fenotipik mund t'i nënshtrohet egoizmit gjenotipik (Hamilton 1964, cituar nga Voland 2000, fq. 74). Me altruizmin fenotipik nënkuptohen sjelljet që lidhen me dorëheqjen nga shanset personale të jetës dhe riprodhimit, por në të njëjtën kohë, duke promovuar riprodhimin e të tjerëve (Voland 2000, fq.4). Për punëtorët e himenopterëve ky egoizmëm gjenotipik është një pasojë kompulsive (e detyrueshme) e haplodiploidisë së tyre. Kjo do të thotë se punëtoret janë më afërta gjenetikisht me një mesatare, që është me një koeficient të afrisë familjare r = 0.75, se sa do të ishte me të vegjlit e vet pas riprodhimit seksual, sepse me pasardhësit e tyre, koeficienti  i ngjashmërisë gjenetike do t’ishte vetëm  r 0.5 do. Sipas parimit të zgjedhjes së të afërmve familjar, altruizmi kontribuon me punëtoret sterile më shumë për suksesin e riprodhimit, se sa do t‘ ishte e mundur ta bënin me shumimin e vet.

Kështu, ata i binden parimit të rritjes së fitnesit egoist (Hamilton 1964, cituar pas Voland 2000, fq 74f) siç është shpjeguar tashmë nën kapitullin e fitnesit total në nënkapitullin për seleksionimin e të afërmve. Ajo që duket si altruizëm, që kushton shumë, rezulton të jetë një "egoizëm" gjenetik i dobishëm. Këtu, i ashtuquajturi altruizëm, ose i supozuar, është në fund të fundit një formë e egoizmit!/dritare.net