Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

9 gabime të zakonshme që i bëjnë prindërit sot!

9 gabime të zakonshme që i bëjnë prindërit sot!
Kur u bëra nënë, mora shumë këshilla sesi ta dua fëmijën tim. Para disa vitesh dikush më tha se, të duash një fëmijë do të thotë të dëshirosh atë që është më mirë për të dhe të ardhmen e tij.

Kur katër vajzat e mia ishin të vogla, në atë kohë bëhej fjalë për mbijetesë dhe plotësimin e nevojave të përditshme, nuk mendoja dot shumë gjatë.

Tani që fëmijët e mi po piqen, mjegulla po ngrihet. Unë nuk jam më peng i prindërimit, por më tepër një anëtar i indoktrinuar. Tani fëmijët e mi duan të kalojnë më shumë kohë me mua, bëjmë biseda të bukura për personalitetin e tyre. Tani mendoj për të ardhmen e tyre, çfarë dua që fëmijët e mi të bëhen kur të rriten, etj, etj.

Ndërgjegjësimi për të ardhmen e tyre ka ndryshuar paradigmën time të prindërimit, sepse ajo që i bën fëmijët e mi të lumtur në moshën 10 ose 15-vjeçare është disi ndryshe nga ajo që do t'i bëjë ata të lumtur në moshën 25, 30, apo 40-vjeçare.

Filozofia ime e preferuar e prindërimit është: "Përgatiteni fëmijën tuaj për rrugën, jo rrugën për fëmijën tuaj."

Unë kam përshkruar 9 gabime të zakonshme që prindërit sot, përfshirë mua bëjnë shpesh. Nuk dua të tregoj me gisht, por thjesht të sensibilizoj.

1- Adhurimi i fëmijëve tanë. Kur ne i trajtojmë fëmijët si të ishin qendra e universit, ne krijojmë një idhull të rremë. Në vend që në shtëpi të keni në qendër të vëmendjes fëmijët, kini Zotin. Fëmijët tanë do të jenë ende të dashur, vetëm në një mënyrë më të mirë, atë që promovon vetëmohimin ndaj egoizmit.

2- Besimi se fëmijët tanë janë të përsosur. Kjo i dëmton fëmijët. Ne mund të ndërhyjmë përpara se situata të na dalë nga duart. Është më e lehtë të merresh me një fëmijë problematik, sesa të ndreqësh një të rritur, të shkatërruar.

3- Ne prindërit krenohemi shumë me fëmijët tanë. Kur ata kanë sukses, kjo na bën më të lumtur. Por nëse ne përfshihemi shumë në jetën e tyre, do ta kemi të vështirë  të shohim ku përfundojnë ata, dhe ku nisim ne. Kur fëmijët tanë bëhen vazhdimi ynë, pra i njëjti profesion, e njëjta mënyrë jetese, ne shohim tek ata shansin tonë të dytë. Papritur, kjo nuk ka të bëjë me ta, por me ne. Këtu lumturia e tyre, fillon të ngatërrohet me tonën.

4- Ne duam të jemi shoku/shoqja e ngushtë e fëmijës sonë.

5- Konkurrenca mes prindërve. Unë dëgjoj shumë histori në shkollë, histori miqësish të prishura dhe tradhti për shkak të një familjeje që sulmon një familje tjetër. Kemi frikë se fëmijët tanë do të mbeten pas. Kemi frikë se nëse nuk kalojmë në çmenduri dhe të heqim çdo pengesë për t'i ndihmuar ata të shkëlqejnë herët, ata do të jenë të mbërthyer në mediokritet pjesën tjetër të jetës së tyre. Nuk duhet të jemi konkurrentë për fëmijët tanë, shkruan dritare.net

Unë besoj se fëmijët duhet të punojnë shumë dhe të kuptojnë se ëndrrat nuk vijnë në një pjatë argjendi, ata duhet të djersiten dhe të luftojnë për to.

6- Mungon habia e fëmijërisë. Një ditë gjeta në lavamanin e kuzhinës një afishe të shkrifët me luleshtrydhe. Më kujtoi sesa e lumtur jam që e ndaj shtëpinë time me fëmijë.

Një ditë nuk do të ketë më afishe mbi lavamanin tim. Nuk do të ketë kukulla në vaskën time. Dritaret e mia do të jenë të pastra nga shenjat e duarve dhe shtëpia ime do të jetë e qetë, sepse vajzat e mia do të rrijnë me miqtë në vend që të flenë me mua, në shtëpi.

Rritja e fëmijëve të vegjël mund të jetë punë e vështirë, monotone. Ndonjëherë është kaq rraskapitëse fizikisht dhe emocionale. Ne jemi kuriozë, çfarë do të bëhen kur të rriten, cili  do të jetë pasioni i tyre etj.

7- Rritja e fëmijës që duam dhe jo fëmija që kemi. Si prindër ne kemi ëndrra për fëmijët tanë. Ato fillojnë kur mbesim shtatzënë, para se të marrim vesh gjininë. Fshehtësish shpresojmë se ata do të jenë si ne, vetëm më të zgjuar dhe më të talentuar.

Por ironia e prindërimit është që fëmijët shpesh dalin e kundërta jonë. Detyra jonë është të kuptojmë natyrën e tyre, t'i mbështesim në çdo rrugë që zgjedhin të ndjekin.

8- Gjykimi i prindërve të tjerë dhe fëmijëve të tyre. Pavarësisht sa nuk jemi dakord me stilin e prindërimit të dikujt, nuk është puna jonë për t'i gjykuar. Askush në këtë botë nuk është shumë i mirë, ose shumë i keq.

9-Nënvlerësimi i karakterit. Nëse ka një gjë që shpresoj të kem të drejtë te fëmijët e mi, është bërthama i tyre. Karakteri, morali, busulla e brendshme, këto gjëra janë themeli për një të ardhme të lumtur, të shëndetshme. Këto kanë më shumë rëndësi se çdo trofe tjetër./Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net