5 gjëra që një 20 e kusur vjeçar duhet t'i dijë para një interviste pune!
Dritare.net
Kur je i ri në tregun e punës, gjithnjë ke për të mësuar. Çdo punë që merr përsipër të mëson diçka që s'e dije më parë (ose e neglizhoje për nga rëndësia) dhe në fund duket sikur vetëm të nisësh një punë të re, qenka një shkencë më vete, një lëndë që nuk na e dhanë kurrë me zgjedhje në shkollë thua se ligjet e fizikës ishin të vetmet që do të na zgjidhnin punë në jetë (meqë ra fjala, rishikojeni atë kurrikulën!)
Po ja që bashkëmoshatarë/e, erdhi dita t'ju them që nëse e hapët këtë artikull dhe përbën interes për ju: urime, sapo jeni bërë adult!
Më poshtë janë 5 gjëra që duhet të mësoni për intervistën e parë nga dikush që si ju që ka kaluar në të njëjtën rrugë. Forca, jemi të gjithë në të njëjtën barkë!
- Jetëshkrimi qenka më i rëndësishëm se ç'e mendoje!
Më kujtohet kur kushedi se në ç'orë në gjimnaz na kërkuan të shkarkonim një version evropian të CV-së dhe ta plotësonim. Nëse ke të njëjtën që ke plotësuar atëherë, ky është momenti i duhur ta hedhësh në kosh.
Më beso s'i duhet askujt sepse të gjithë e përdorin, të gjithë dinë të mbushin mes hapësirave bosh dhe s'do të impresionosh askënd. Ndjesë punëmarrësve që ua kam dërguar, s'dija ç'bëja! Nga ç'kam parë e ç'kam hequr, më beso jetëshkrimi sa më i veçantë dhe që nxjerr në pah aftësitë e tua teknike e profesionale është ajo që të duhet. Një miku im para ca vitesh më prezantoi me versionin e tij të punuar gjatë e me shumë kujdes me një program grafik dhe unë do e kisha marrë në punë vetëm për rëndësinë që i kish dhënë.
Ndaj investoju në një CV, kaq po të them! Kërko në internet, pyet miq e shokë dhe mos apliko sa për të thënë që e nise.
Këshillë ekstra: Ruaje në PDF nëse e nis elektronikisht! Ka më shumë sy.
2. Si t'i përgjigjem pyetjes së madhe "Cila është pika jote e dobët?"?
Ngrije dorën nëse në një intervistë të rëndësishëm s'e ke marrë të paktën njëherë këtë pyetje! Gjithnjë duket sikur e bëjnë me plan që të na bëjnë edhe më vulnerabël sesa ç'jemi në ato çaste nga emocionet e rastit e presin t'i thuash që je plot të meta, që s'ke vullnetin më të madh të nisësh palestrën çdo të hënë për të paktën 6 muajt e fundit, që ndonjëherë mund të rrish tërë ditën pa ujë sepse s'ke në shtëpi e supermarketi të duket larg etj, etj. Por jo, ti e mbledh veten dhe plot vendosmëri vendos të kthesh një aftësi në një dobësi e thua p.sh "Perfeksionimi! Jam kaq detajiste sa..." dhe nëse përballë teje dikush s'rrotullon sytë, atëherë je me fat!
Miku im, je i mërzitshëm!
Në të tilla raste është me rëndësi që përpara se të thoni përgjigjen që pritet, të keni studiuar së pari çfarë kërkesash apo aftësish duhet të ketë një kandidat potencial për vendin vakant specifik që po aplikoni dhe përgjigjja të jetë e kopsitur për të. Së dyti, një pjesë e mirë e njerëzve vihen në vështirësi përpara një pyetje të tillë kur ia drejtojnë vetes e lëre më pastaj një punëdhënësi potencial, ndaj flisni pak me veten përpara kësaj. Dhe ah, mos harroni: pika të dobëta lidhur me aspektin profesional, ky s'është momenti të qani hallet përpara një jurie!
3. Ata që na patën s'na i ditën vlerat!
Me shumë gjasa, 1 në 2 shqiptarë është ndarë keq m e punëdhënësin paraprak dhe intervista për punën tuaj të re s'është vendi i duhur ku ta nxish gjithë rrëfimin për punën që ke pasur (apo drejtuesit!) Shpesh në pozicione kryesisht pak më të institucionalizuara priren kërkojnë referenca apo kontakte të punëdhënësve paraprak ndaj me rëndësi është që cilado qoftë arsyeja që keni shkëputur një marrëdhënie pune, mos të bësh sherr e shamatë sepse fundja, është një eksperiencë dhe do të të ndjekë nga pas tërë jetën. Shpesh punëdhënësit mund të drejtojnë pyetjen sesi mund ta kesh menaxhuar një rast konflikti me eprorin e mëparshëm, ku ka rëndësi të ruash gjakftohtësinë e të tregosh një rast të mundshëm ftohtë dhe objektivisht. Kjo do të tregojë se ti e menaxhon konfliktin, rritesh profesionalisht dhe e tejkalon. Ndaj mundohu t'i përmbahesh një etike profesionale në çastin e shkëputjes së marrëdhënieve sepse hijet e së shkuarës (njësoj si ishi yt) do të të ndjekin pas tërë jetën.
- "Keni pyetje të tjera? Jo, zyshë!"
Nëse e ke harruar ndjesinë e lehtësimit kur e gjitha klasa shprehej njëzëri nëse kishte pyetje apo jo për mësimin, atëherë lërmëni t'ju them që s'paska pasur moment më të zi për mësuesit! Tani i kuptoj! Teksa jam duke mbajtur një trajnim apo duke folur para një grupi njerëzish, s'e di nëse ka ndonjë moment që kam më shumë frikë sesa ai kur audienca hesht e thotë që s'ka pyetje. Kështu me shumë gjasa mund të ndjehen punëdhënësit e tu teksa ti pasi ke djersitur dhe ke luftuar me memorien për të kujtuar çdo eksperiencë që ka vlerë të përmendet, kujtohesh që u dashka edhe të bësh pyetje për ta.
Epo, po bashkëvuajtësit e mi, ky është momenti juaj për të vënë qershinë mbi tortë dhe siç tha një miku im rekrutues "të shënosh gol në minutë të fundit" se unë s'marr vesh nga futbolli. Nëse të drejtohet pyetja "A ke ndonjë pyetje për ne?" sigurohu që e ke një të tillë. Mbase duke studiuar vendin e punës apo aftësitë e një kandidati të favorizuar, mbase duke pyetur specifikisht për një iniciativë të tyre që përbën interes për ty apo gjithfarë pyetjesh etike, mund të kishin vend në një situatë të tillë. Këshillë ekstra: Unë pyes gjithnjë sesi do të ishte një ditë tipike në pozicionin që unë po aplikoj, kjo sepse përbën interes vërtetë për mua!
- Rroga dhe shqiptarët = historia horror e një kombi
Nëse ka diçka që për mua është po aq e rëndësishme për ne si komb sa "I kujt je?" është çështja e rrogës. Rreth saj rrotullohet një pjesë e mirë e bisedave të rastësishme qoftë me të afërm apo të largët, miq apo armiq. Nëse duam të flasim për dikë, i referohemi rrogës së saj/tij por edhe kur duam ta masim në vlerë, i referohemi po rrogës. Ama kur vjen puna tek pyetja "Do dëshironim një ofertë nga ana jote për rrogën/Cila do të ishte pagesa për punën në fjale që kërkon?" është një mesele më vete. Duke nisur nga unë e para, ky problem është i pranishëm për disa arsye. Si fillim për shkak të së shkuarës sonë ku të flasësh për lekë në një vend post-komunist akoma të intimidon. Nga ana tjetër, tregu ka një çrregullim të vlerësimit të krahut të punës e në qoftë një fushë që ti po eksperimenton për herë të parë thjesht ia fut kot, dije që po penalizon veten. Në sytë e punëdhënësit kjo shikohet si një etalon matës për punën tënde e për pasojë, i cilësisë së saj. Ndaj përpara se të shkosh në një intervistë, bëj një studim/kërkim për tregun e punës, ji realist por edhe konfident mjaftueshëm për të vlerësuar punën tënde. Këshillë ekstra: mos bëj kompromis me parimet e tua dhe mendimin tënd mbi vlerësimin e punës, tregon karakter të vendosur e të fortë!/dritare.net