Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vizion Plus sulmon AMA-n: Po punon për monopolin e Dixhitalb

Vizion Plus sulmon AMA-n: Po punon për monopolin e Dixhitalb

Vizion Plus e ka konsideruar si skandal vendimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive, të drejtuar nga Gentian Sala, i cili ka dhënë "në shkelje flagrante të ligjit" licencën e fundit kombëtare private për transmetime audiovizive. Në kronikën e Vizion Plus dhe në prezantimin e lajmit, u përmend termi monopol duke synuar qartë që përmes tij të etiketohet "Dixhitalbi".

Me sa duket, sipas televizionit, shoqëria ADTN që është shpallur sot fituese, i përket të njëjtës kompani të televizionit me pagesë. Por problemi nuk qëndron vetëm në situatën monopol që po krijohet në treg. Në kronikë argumentohet se një gjë e tillë po bëhet në mënyrë të paligjshme. "Vendimi është marrë me shumicë të thjeshtë, 4 pro (mazhoranca) e tre kundër (opozita), duke cënuar rëndë ligjin për mediat audiovizive të vitit 2013. Në nenin 19 ai përcakton qartë, se kjo licencë jepet vetëm me shumicë të cilësuar, pra me 5 vota.

Por kreu i AMA, Gentian Sala, u përpoq të argumentonte se vendimi bazohet në ligjin për funksionimin e organeve kolegjiale, sipas të cilit votimi me shumicë të thjeshtë bëhet kur në dy votimet e mëparshme nuk arrihet shumica e cilësuar", lexohet në kronikën e lajmeve të Vizion. Megjithatë, Vizion Plus, që e quan këtë argument qesharak, thotë se ai mund të jetë i vlefshëm "vetëm kur një institucioni i mungon ligji organik, bordi drejtues dhe rregulloret e brendshme. AMA ndërkohë ka edhe ligj organik, edhe bord drejtues, edhe rregullore. Të gjitha ato detyrojnë votim të cilësuar për ndarjen e licencave kombëtare private".

Madje Vizion Plus ka shkuar edhe më tej duke lëshuar alarmin se me një perecedent të tillë mund t'i hapet rruga edhe manipulimit të zgjedhjeve: "Autoriteti i Mediave Audiovizive ka krijuar sot një precedent të rrezikshëm, duke miratuar me 4 vota një vendim që ligji e sanksionon se duhet miratuar me shumicë të cilësuar.

Nga sot gjithkush ngre dyshimin se çfarë ndodh me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kur i duhet të ndajë mandatet me 5 vota? A do të përdorë edhe ky institucion referencat për organet kolegjiale që përdori AMA sot? A do i ndajë mandatet me 4 vota? A rrezikohen kështu edhe vetë zgjedhjet në Shqipëri", pyetet në një tjetër kronikë.

Vendimi i kësaj të premteje u paralajmerua një ditë më parë edhe nga opozita. Anëtari i Komisionit të Medias, Luçiano Boçi, tha se Autoriteti i Medias Audiovizive e kishte bërë gati vendimin, ndonëse procesi ligjërisht konsiderohet i përfunduar. Ndërsa vite më parë, gazetari Adi Krasta kishte shpërthyer duke akuzuar Edi Ramën se ai e pat vendosur Gentian Salën në krye të AMA-s për të mbrojtur interesat e Top Channel.  /Lapsi.al