Na ndiqni edhe në

Editorial

Virusi tek dera: thojini Ogertës!

Virusi tek dera: thojini Ogertës!
Nga Dritan Hila

Dje Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Numri i të vdekurve në Kinë ka arritur në 203, por kjo shifër deri në botimin e artikullit me siguri do të ndryshojë.

Gjendja nuk është ashtu siç duket, por më e rëndë. Shtetet e Bashkuara kanë vërejtur boshllëqe në raportin e qeverisë kineze, çka nënkupton që Kina nuk ka ofruar gjithë situatën reale që është në terren.

Shtete evropiane kanë ngritur ura ajrore për bashkëatdhetarët e tyre që kanë qenë në territoret e prekura dhe mbajtjen në karantinë në objekte të ruajtura nga ushtria ose policia, për periudhën që kërkon inkubacioni virusit.

Ndërkohë të prekur nga ky virus kanë arritur t'i shpëtojnë kontrollit të vendosur në aeroportet evropiane. Por autoritete vendase ia kanë dalë të identifikojnë itineraret e tyre dhe të marrin masat përkatës.

Pa dashur të bëjmë specialistin e mjekësisë, virusi ende nuk ka një protokoll të caktuar mjekësor sesi zhvillohet, masat e hospitalizimit dhe të kurimit. Gjithçka veprohet është mbi bazën e të dhënave që i filtrojnë Kinës.

Ndërkohë qeveritë evropiane janë mbledhur secila për të përcaktuar situatën në vendin respektiv dhe masat që duhen marrë. E gjitha kjo nuk tregon një situatë normale.

Po Shqipëria?

Instituti i Shëndetit Publik, përgjegjësi i linjës së parë të kësaj situate, mban heshtje që do ia kishte zili edhe ai i Monumenteve të Kulturës.

Deri tani ka folur vetëm ministrja, Ogerta Manastirliu. Por e gjitha çfarë ofron është pamjet televizive dhe mesazhet për qetësi. Në fakt, shpesh ministrat e Ramës e ngatërrojnë postin e tyre me atë të instruktorëve të jogës. Po kjo situatë kërkon shumë më tepër se kaq.

Ndërsa Kina ngre brenda 10 ditësh dy spitale me kapacitet 2.300 shtretër, ne ende nuk kemi parë një dhomë të pajisur në mënyrë adekuate për izolimin e pacientit zero, që është sjellësi i parë i virusit. Të paktën të na tregonin ndonjë krevat të rrethuar me çarçafë të varur.

Edhe në vajtjen e Manastirliut në Rinas, nuk u pa të paktën një ambulancë me pajisjet përkatëse për raste të tilla, siç shohim nëpër botë nga ekranet.

Sa i takon pastaj aftësisë profesionale të mjekëve shqiptarë, ende nuk është bërë me dije nëse kanë çuar ndonjë ekip që të përditësohet me situatën.

E ndërkohë askush nuk e di sesa anëtarë të komunitetit kinez që banojnë në Shqipëri kanë qenë për festat e Vitit të Ri në atdheun e tyre. Askush nuk ka skanuar sesa shqiptarë kanë qenë këto dy muaj në Kinë, dhe cilat rajone kanë vizituar. Askush nuk e di çfarë do të bëhet me 400 shqiptarët (pak a shumë, pasi evidencë nuk ka), që jetojnë ose ndodhen në Kinë. Ministria e Jashtme vazhdon të mos ketë një qendër të menaxhimit të krizave.

Ambasadori, Selim Belortaja bën selfie nga Pekini dhe e vetmja këshillë që jep është që kush ndodhet në Kinë, të presë biletat e të kthehet.

E vetmja gjë që ngushëllon deri tani është se virusi për momentin ka një shkallë vdekshmërie të ngjashme me epidemitë e zakonshme, por kjo vjen për shkak të karantinës. Një mungesë izolimi, deri në momentin e gjetjes se vaksinës, siç Shqipëria rrezikon, e shndërron në vrasës masiv.

Dikush duhet të bindet se performanca mediatike edhe pi ujë, deri në momentin që njerëzit të këputen në rrugët e Tiranës./dritare.net